Lajme

Haradinaj: LVV dhe Lista Serbe u koordinuan që veteranët UÇK-së të mbesin jashtë Projektligjit për pagën minimale


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rishpërndarë një deklaratë të tij të dhënë një vit më parë pas votimit të Projektligjit për pagën minimale në Kosovë, i cili kishte lënë të pa përfshirë veteranët e UÇK-së në këtë Projektligj.

“Fjala ime para një viti, pikërisht në ditën kur Vetëvendosje dhe Lista Serbe në koordinim votuan kundër që veteranët të përfshihen në ligj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në këtë deklaratë kreu i AAK-së kishte thënë para gazetarëve se ‘edhe Rrahman Morina do t’ia kishte lakmi Vetëvendosjes dhe Listës Serbe”.


“Votimi i Projektligjit për Pagën Minimale në Kosovë në vitin 2022, i ka lënë të pa përfshirë veteranët e luftës së UÇK-së, ndër më meritorët për lirinë e vendit. Veteranët kishin mbetur jashtë këtij Projektligji si pasojë e një koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe të cilët në përbërje të plotë patën votuar kundër”, pati thënë ai.

“Sot është një ditë e çuditshme në Kuvendin e Kosovës. Jam shumë i bindur që edhe Rrahman Morina do t’ia kishte marrë lakmi Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit ku kanë mbërritur.

Haradinaj kishte theksuar se “sot e kemi parë një fitore të UDB-s ose të fëmijëve të tyre të përkrahur edhe me votën e Listës Serbe në mënyrë transparente bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje për me votuar një ligj me të cilin i përjashtojnë kategoritë e lirisë”.

“Sot jemi dëshmitarë që në Kuvendin e Kosovës është rikthyer Rrahman Morina, UDB-ja dhe Lista Serbe duke votuar bashkë e duke e dhënë një pamje të turpshme që ka mundur me i ndodh Kosovës”, pati potencuar Haradinaj atë kohë.

Ndryshe, në pjesën e tretë të audio-incizimeve të publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, kryedeputetja e LV-së e akuzon Ramush Haradinajn për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore