Lajme

Haradinaj: Kurti nuk i beson sistemit institucional – këto janë lidhjet e shkurtra të kapjes së shtetit


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka konsideruar të hënën se kryeministri Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit institucional të shtetit, ndërsa ka shtuar se ai po krijon sistem paralel.

Haradinaj ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të hënën, pas përpjekjeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit qeveritar për të arsyetuar aferat korruptive të njerëzve përreth pushtetit.

Ai ka përmendur rastin e aferës korruptive në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe arrestimin e afaristit Ridvan Muharremi “Ridi” – person i afërt me kryeministrin Kurti – nën dyshimet për keqpërdorime në rezervat shtetërore.

“Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, ka shkruar kreu i AAK-së.

Ish-kryeministri kosovar ka shtuar se janë pikërisht këto “lidhje të shkurtra” të kapjes së shtetit, për të cilën edhe kishte paralajmëruar kohë më parë. Ai ka vlerësuar se modeli i qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendose quhet lidhje e shkurtër korruptive.

“Këto janë ato lidhjet e shkurtra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pas ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore