Lajme

Haradinaj kritikon pushtetin me një video “pa koment” nga një librari në Pejë


Ilustrim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” një video “pa koment” nga një librari në Komunën e Pejës, në të cilën shihen një numër i madh i qytetarëve derisa presin në radhë për t’u furnizuar me tekste dhe materiale të tjera shkollore të dielen.

Kreu i AAK-së këtë video e ka publikuar në formë kritike pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 6 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1 deri 5 dhe mbi 6 të tjera për subvencionimin e materialeve tjera shkollore për klasat 1 deri 9.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka pretenduar se me vendimin që i ngarkon prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj rimbursimin e parave përmes platformës “e-Kosova”, duke prishur kështu zinxhirin e furnizimit me tekste shkollore, po e kursejnë buxhetin e shtetit.

Megjithatë, vendimi i ekzekutivit kosovar është kritikuar në masë të madhe për shkak se janë shkaktuar telashe të panevojshme siç janë pritjet e gjata në rend nëpër librari, paqartësi mbi blerjen e teksteve shkollore, bartje të librave nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim.

E dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur veçse ka nisur viti i ri shkollor, zyrtarë të lartë të MASHT-it janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta të librave, mirëpo sipas opozitës kosovare, ky proces del të jetë me kosto edhe më të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore