Lajme

Haradinaj: Kosova në NATO është zgjidhje, jo anasjelltas


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar zbatim të rendit dhe ligjit pasi sipas tij s’ka alternativë tjetër dhe duhet të forcohet në të gjithë vendin pa përjashtim.

Haradinaj, në rrjetin social ‘Facebook’ ka shkruar se kjo bëhet vetëm përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Rendi dhe ligji nuk ka alternativë. Duhet të forcohet në të gjithë vendin, pa përjashtim. Siguria e përgjithshme lehtëson dhe shpejton rendin dhe ligjin. Siguria dhe stabiliteti, forcon edhe ekonominë”.

“Kosova në NATO është zgjidhja. Jo anasjelltas”, ka shkruar ai.

Duke thënë se sa më shpejtë duhet të krijohen “marrëdhënie kontraktuale” me NATO-n.

“Jo larg integrimeve euroatlantike për më shumë rend e ligj. E kundërta. Sa më afër integrimeve dhe sa më shpejtë në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, aq më shumë rend dhe ligj, aq më shumë ekonomi”.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën Veri-Atlantike. Madje më 9 mars të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës morri vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në mbledhjen e Qeverisë më 9 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonal dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjik ndërkombëtarë.

Për formimin e themelimit të grupit punues për anëtarësimin e Kosovës në NATO ishte deklaruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në Aleancë është çështje urgjente.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 vjet e gjysmë prej themelimit të këtij grupi punues anëtarësimi i Kosovës në bllokun ushtarak perëndimor është në vendnumëro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore