Lajme

Haradinaj kërkon mbështetje nga Belgjika për anëtarësim në BE dhe NATO


Ramush Haradinaj dhe Gregoire Cuvelier

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar këtë të mërkure me ambasadorin e Belgjikës në Prishtinë, Gregoire Cuvelier, të cilit i ka kërkuar që mbështetja e shtetit belg për Kosovën të vazhdojë edhe më tutje.

Lajmi është bërë i ditur nga Haradinaj, përmes një postimi në Facebook.

“Belgjika si shtet mik, gjithmonë i qëndroi përkrah Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar që ta fuqizojmë këtë miqësi përmes marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat”, shkroi Haradinaj.

Ish-kryeministri ka njoftuar se me diplomatin belg ka biseduar për zhvillimet politike në vend.

“Me këtë rast, shpreha falënderimin ndaj ambasadorit Cuvelier për përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe të shtetit belg, si dhe kërkova që kjo mbështetje të vazhdohet edhe më tutje në përkushtimin tonë për të qenë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore