Lajme

“Ultimatumi” i Pecit, Haradinaj e konfirmon se është shkëputur kontrata për objektin ku është selia qendrore e AAK-së


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se kontrata e qeras për objektin e subjektit të tij është shkëputur, vetëm pak orë pasi Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë së hënës ka autorizuar sekretarin e ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e AAK-së.

“Të dashur qytetarë, Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor.

Tutje deputeti i AAK-së e ka falënderuar qiradhënësin për bashkëpunimin e deritashëm.  Ndryshe, të premten, ministri Peci kishte postuar disa fotografi në Facebook nga objekti ku gjenden zyrat e AAK-së dhe kishte shkruar “shihemi të hënën”.

“Unë punoj edhe çdo fundjavë por duke qenë se kaloi orari i punës së administratës, shihemi të hënën. Ju uroj një fundjavë të qetë. Qytetarët më së miri e vlerësojnë përmes këtyre fotografive se kush janë manipulantët dhe matrapazët”, pati shkruar Peci.

Objekti i Institutit Bujqësor në “Ulpianë” të Prishtinës u bë sërish çështje diskutimi mes Pecit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka pasur selinë në këtë objekt prej shumë vjetësh.

“I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit; Ministrisë së Bujqësisë”, kishte potencuar ministri Peci.

Ndërkaq AAK-ja nëpërmjet një komunikate për media, e pati cilësuar si “manipulim ordiner” deklaratën e Pecit, se dikasterit që ai e udhëheqë i janë rikthyer 600 metra katrorë të një objekti në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, ku është selia qendrore e kësaj partie.

“Pohimet e këtij far ministrit se gjoja ‘I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit…’, janë pjesë e manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush”, thuhej në reagim.

Ndryshe, ministri Peci është shprehur i bindur se në një periudhë të shkurtër ky objekt do të jetë në dispozicion të dikasterit që ai e drejton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore