Kosova

Haradinaj e cilëson “dështim qesharak” problematikën e teksteve shkollore: Kur është boll për Kurtin?


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” në lidhje me “dështimin qesharak” të Qeverisë së Kosovës për t’i siguruar tekstet shkollore për nxënësit derisa ka fajësuar ekskluzivisht kryeministrin Albin Kurti për këtë problematikë.

Ai ka thënë se është detyrë e ekzekutivit kosovar që t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës, ndërsa justifikimet e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për dështimin e sigurimit të teksteve shkollore, sipas tij, janë tendecë për “poshtërimin e prindërve dhe nxënësve”.

“Çdo justifikim për këtë dështim është qesharak. Çfarë duhet të ndodh tjetër që Kurti ta kuptojë që ai dhe qeveria e tij janë kthyer në dëm për Kosovën? Çfarë faji i kanë prindërit e nxënësit që po i poshtëron me tekste shkollore. Sikur nuk u mjaftoi poshtërimi që i’u bënë mësimdhënësve me paga. Kur është boll për Kurtin?”

Zyrtarë të MASHT-it, përfshirë ministren Arbërie Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore