Shqipëria

Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi potencial për turizmin, thotë Çuçi


Bledi Çuçi, ministri i Brendshëm, ka folur në Kuvend seancën e kësaj të enjteje për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulja.

Sipas tij, marrëveshja ka rëndësi të madhe për lehtësimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes dy vendeve.

“Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit”, ka thënë Çuçi.

Ai ka thënë po ashtu se do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të Bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, malësisë së Krajës, komuna e Barit – Mali i Zi, në të dy anët e kufirit.

“Marrëveshja që kemi sjell sot për miratim në Kuvend për hapjen e një pike të përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi ka rëndësi të madhe për lehtësimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes dy vendeve tona, por edhe më gjerë në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal që Shqipëria ka si prioritet”, ka thënë ai.

Sipas Çuçit, për të ngritur në një nivel tjetër zhvillimin e sektorëve me interes strategjik mes dy vendeve, veçanërisht zhvillimin e turizmit, është punuar si një ekip i vetëm me palën malazeze, për marrëveshjen që është firmosur në mbledhjen ndër-qeveritare në fillim të këtij viti.

Marrëveshja, sipas ministrit, përcakton hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Shën Nikolla-Pulaj në fshatin Pulaj/ Bashkia Shkodër, për qarkullimin ndërkombëtar të njerëzve dhe automjeteve.

“Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit”, ka vijuar ai.

Ai mendon se nga një pikëpamje më gjithëpërfshirëse, ky impuls i ri zhvillimi për sektorin e turizmit do të japë një kontribut direkt në rritjen ekonomike dhe stimulimin e sipërmarrjes që ushtron aktivitet në këto zona.

“Iniciativa jonë për hapjen e kësaj pike të përbashkët kufitare nuk duhet parë e shkëputur nga projekti madhor që ka nisur tashmë mes dy vendeve tona; ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna për të shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit”, ka vijuar ministri.

Ministri ka shtuar se ky projekt dhe pika e re ndërlidhëse do të ndikojnë edhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajon.

“Shqipëria është një vend ku turizmi ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe po rritet vit pas viti. Çdo investim në infrasktrukturë që e ndihmon këtë sektor është më se i mirëpritur”, ka theksuar ai.

Për të, të gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duhet të jenë pika të përbashkëta të kalimit kufitar.

“Eksperienca e deritanishme, ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar”, ka treguar ai.

Gjithashtu ka zbuluar se po punohet me palën malazeze për të ndryshuar statusin e pikave të tjera kufitare në pika të përbashkëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore