Kosova

Hamza thotë se Kurti degradoi pozicionin e Kosovës në dialog, zotohet se do t’i shkëpusë serbët e veriut nga ndikimi i Serbisë


Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, në një intervistë për televizionin “Klan Kosova” të enjten, tha se kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, degradoi pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga njohja reciproke, sot nuk është temë njohja për shkak të gabimeve në këtë proces – momentumi është tepër i rëndësishëm… Sot e kemi në tavolinë një prej ofertave më të varfëra që i ka pasur Kosova”, theksoi kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut, i cili të mërkurën u zgjodh kandidat për kryeministër.

Ai komentoi edhe zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku qytetarët atje mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia. Hamza u zotua se do t’i shkëpusë serbët e Kosovës nga ndikimi i Serbisë, ndërsa u zotua se në këtë pjesë do të ketë investime.

“Ne kemi nëvojë që qytetarët serbë t’i trajtojmë korrekt. Ne duhet të investojmë në këtë pjesë, duhet t’ua bëjmë jetën më të mirë qytetarëve. Por ata duhet të ndihen mirë si qytetarë të Kosovës – pakicat nuk janë rrezik – nëse ata e ndjejnë shtetin e Kosovës si shtetin e tyre. Ne duhet t’i shkëpusim ata nga ndikimi i Serbisë”, theksoi ndër të tjera kandidati i PDK-së.

Hamza është i njohur për publikun në Kosovë. Ai ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nga viti 2013 deri në vitin 2017. Gjithashtu, shërbeu edhe si Ministër i Financave të Kosovës në dy raste. Kryetari i Mitrovicës së Jugut ka qenë edhe deputet për dy mandate.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore