Film

Halyna Hutchins – Ylli në ngritje i një industrie që “e vrau”


Halyna Hutchins

Rrugëtimi i saj si kinematografe nuk kishte shumë që kishte filluar, por në vitin 2019, ajo u shpall një ndër profesionistet më premtuese të fushës nga revistat prestigjioze amerikane.

Vendi që ajo donte më shumë, seti i xhirimit, ishte pikërisht vendi i fundit, të cilin ajo do të shihte në këtë botë.

Halyna Hutchins vdiq tragjikisht pas një aksidenti të ndodhur në sheshin e xhirimit, ku aktori i njohur Alec Baldwin, duke interpretuar rolin kryesor në një film western, e qëlloi atë dhe regjisorin e filmit, Joel Souza, me armë.

Halyna Hutchins gjatë xhirimeve të një filmi

“E pabesueshme!”. Kështu e përshkroi me një fjalë të vetme, vdekjen e Halyna-s, regjisori dhe miku i saj, Adam Egypt. “Njerëzit kishin filluar ta njihnin atë dhe punën e saj. Fakti se u shua kështu, është i pakapërdishëm”.

Drerë dhe nëndetëse bërthamore

Hutchins kishte lindur në Ukrainë në vitin 1979. Por, ajo u rrit në një bazë ushtarake sovjetike, në rrethin Arktik.

Sipas të dhënave që gjenden në faqen e saj zyrtare në internet, ajo e përshkruan fëmijërinë e saj me dy fjalë: Drerë dhe nëndetëse bërthamore. Kështu qe rritur Halyna në acarin e polit verior.

Industrisë së filmit, ajo iu shtua në vitin 2015, pasi u diplomua në Los Angeles nga Instituti Amerikan i Filmit. Më parë, Halyna kishte përfunduar shkollën për gazetari në Kiev.

Ndaj, kjo, ishte një mundësi e re në jetën e saj.

Halyna Hutchins, gjatë xhirimeve të një filmi

Shkallët e Hollywood-it po i ngjiste ashtu, me vështirësi, si çdokush. Kishte arritur boll në pak vite, duke punuar në filma me rëndësi, si për shembull ‘Blindfire’ apo ‘Darlin’.

Asaj i pëlqente aksioni dhe horrori, ku dhe jepte më të mirën si kineaste.

Halyna Hutchins gjatë xhirimeve të një filmi

“Ishte një sfidë e vërtetë të bëje ç’të mundje me aq sa të gjendej nga buxheti. Por Halyna dinte çfarë bënte dhe si punonte. Ishte mbresëlënëse të shihje si po rritej si artiste”, vijon Egypt rrëfimin mbi të.

Halyna Hutchins gjatë xhirimeve të një filmi

Me hetimet në rrugë e sipër, do të shihet më gjerë se si ky aksident ndodhi. Por një gjë, është e sigurt: Hollywood-i humbi një yll në rritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore