Lajme

Halimi: Mbi 30 muaj qeverisje asnjë projekt s’u realizua ne kulturë


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka deklaruar se asnjë projekt i madh kapital deri tani nuk është realizuar nga Qeveria Kurti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Halimi është shprehur se gjatë periudhës se qeverisjes së tyre në vend të avancimit të projekteve, kanë ndodhur vetëm punësime partiake.

“Përveç asnjë projekti të madh kapital në kulturë, në mbi 30 muaj qeverisje, nuk kishte as avancim të legjislacionit. As formë dhe as përmbajtje. Veç punësime partiake në borde dhe trupa kulturore; të cilat herë mbesin të mangëta, pa këshille drejtuese; e shpeshherë stërngarkohen me militantë”, ka shkruar Halimi.

Ajo tutje ka thënë se premtimet për ndërtimet e institucioneve kulturore kanë mbetur vetëm premtime.

“Premtimet e mëdha për ndërtim të Teatrit të Operës dhe Baletit, Teatrit të Ri Kombëtar, krijimin e kinemave të reja të qytetit, Stadiumit Kombëtar, Pishinës Olimpike, Muzeut të Historisë së Natyrës, Muzeut Arkeologjik – edhe pse ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit – nuk shihen askund në horizont”.

Sipas saj, “as suksesi i “Zgjoit” s’mjaftoi për ta zgjuar nga gjumi Qeverinë për të bërë dicka më shumë për filmin”.

“Kinematografia mbeti në vendnumërim, sikur çdo lëmi tjetër kulturore. Objekte të reja nuk ndërtohen; ekzistueset nuk mirëmbahen; ato pak që janë në gjendje të mirë, nuk promovohen. Buxhetit vazhdon të ndahet në mënyrë selektive, sipas hartës partiake”.

Halimi, potencoi se si zgjidhje për këtë është “rruga e re”.

“Prandaj duhet “Rruga e Re”, se ajo na ndanë nga e shkuara e ankesave, arsyetimeve e fjalëve boshe. Programi ynë, ai i ambicieve të mëdha e projekteve madhore, i reformave dhe vizionit largpamës e të guximshëm, është përgjigjja ndaj stagnimit qeveritar që të vetmen punë e ka progagandën e numrave dhe grafikoneve, sikur ai i mbrëmshmi i postuar nga i pari i Qeverisë, me të cilët i mahnitë veçse militantët partiak”.

“Me nismën ‘Rruga e Re’, Lidhja Demokratike e Kosovës, synon që bëjë koalicion me qytetarin, që Kosovës t’i jepet pamje e re”, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Rruga e Re”, sipas Hazirit është dokument i ri i politikave sektoriale dhe i programit qeverisës, që LDK i ka diskutuar me mbi 200 ekspertë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore