Shqipëria

Hakerët publikojnë operacionet e inteligjencës shqiptare


Grupimi i hakerëve “Homeland Justice” ka publikuar mbrëmjen e 7 nëntorit video operacionale të përgjimit në një ambasadë të huaj.

Këto të fundit, pretendohet se janë marrë nga vëzhgimet dhe operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Ata kanë publikuar në kanalin e tyre “Telegram”, video që janë filmuar në mars të vitit 2021 me kamera trupore.

Në mesazhin e hakerave shkruhet “Prisni për një bombë”, nën aludimin se mund të kemi publikime të tjera më të rëndësishme.

Më herët, “Homeland Justice” publikoi identitetin e 600 punonjësve të inteligjencës shqiptare.

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo, ra “pre” e publikimeve nga grupimi i hakerëve më 19 tetor.

Përmes faqes së tyre, hakerët publikuan një skedar të Bendos, me gjeneralitetet e tij dhe me të dhënat nga sistemi TIMS, ku shfaqen hyrje-daljet jashtë dhe brenda vendit, në një periudhë kohore prej 17 vitesh – nga viti 2005 deri në vitin 2022.

“Për sa kohë nuk i vendosni në frerë aktivistët terroristë të grupimit MEK, publikimet tona do të vijojnë”, shkruanin hakerët në publikimin e tyre.

Më parë, “Homeland Justice” ka publikuar edhe dokumente, të cilat lidheshin me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Të gjitha këto rrjedhje të ndjeshme të dhënash, të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë kombëtare nuk janë shoqëruar me asnjë reagim nga autoritetet apo zyrtarët shqiptarë.

Detajet

Në videon e publikuar, shfaqet ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano (asokohe drejtor i Antiterrorit).

Bëhet fjalë për një operacion në dukje “kundërzbulimi” gjatë kontrollit në një ambasadë të huaj.

Dy punonjës të inteligjencës shqiptare ballafaqohen me dy persona në ambientet përpara rezidencës diplomatike e cila nuk shquhet dot.

“Përshëndetje jemi njësia hetimore e Policisë së Shtetit. Unë jam drejtori”, i thotë Nano dy personave.

Në zhvillim e sipër, zbulohet se njëri prej tyre ishte zyrtar pranë Policisë së Shtetit, ndërsa personi që e shoqëronte “atasheu kulturor i ambasadës kineze”.

Materiali i përpunuar i hakerëve dekonspiron edhe tre njësi speciale pranë inteligjencës shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore