Shqipëria

Hakan Fidan në Tiranë – Jo veç për Shqipërinë, por për gjithë rajonin


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka mbërritur zyrtarisht në Tiranë pasditen e 28 janarin, por takimet më të rëndësishme dhe thuajse gjithë peshën e vizitës së tij në vend, ia lë të hënës së 29 janarit.

Kjo e Fidan, prej caktimit të tij në krye të diplomacisë turke, është vizita e parë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nga sa ka kuptuar Albanian Post, mbart rëndësi të veçantë në disa sfera.

Hakan Fidan zbret në Tiranë

Sipas agjendës zyrtare, Fidan është takuar më 28 janar me Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe me komunitetin turk në vend, teksa takimet e niveleve të larta, ia ka lënë fillimit të javës.

Ai do të ketë një takim kokë më kokë dhe konferencë për shtyp me kryediplomatin shqiptar, Igli Hasani. Do të ketë një takim me kryeministrin, Edi Rama. Gjithashtu edhe një me presidentin Bajram Begaj.

Por, çfarë përtej protokolleve?

Në fakt, kjo vizitë mund të jetë edhe një themel i hedhur drejt një vizite të radhës të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Shqipëri.

Çështja është ajo e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë, e financuar nga shteti turk, por e mbetur pezull për shkak të disa mosmarrëveshjeve brenda komunitetit vetë.

Bëhet fjalë për organizatën e shpallur terroriste nga Turqia, FETO, e cila ndjek ideologjinë e Fetullah Gulenit, armikut të përbetuar të Erdogan, në ekzil prej vitesh në SHBA.

Në zbritjen e fundit që pati në Shqipëri, Erdogan inauguroi lagje të tëra të rindërtuara, shprehu vëllazërinë me popullin shqiptar. Por, pati edhe kërkesa shumë të fuqishme për çrrënjosjen e FETO-s nga vendi, duke e bërë edhe të qartë se eksponentë të KMSH-së, të cilët drejtojnë këtë institucion fetar, janë të lidhur me këtë doktrinë.

Ai nuk ngurroi të thoshte edhe se kërkon të bëhet më shumë nga qeveria e Tiranës për këtë dhe ia kërkoi drejtpërdrejt kryeministrit Rama diçka të tillë.

Xhamia, mbetet ende e painauguruar dhe Fidan në agjendën e tij “të fshehtë” e ka edhe sheshimin e kësaj çështjeje, për të bërë faktike hapjen e objektit fetar më të madh për myslimanët në Tiranë.

Përtej kësaj, siç ka arritur të mësojë Albanian Post, Fidan këtë e cilëson një agjendë përtej Shqipërisë, një tur të mirëfilltë rajonal, pavarësisht kohëzgjatjes së saj të shkurtër.

Aq sa pjesëmarrës në takimet me Fidan do të jenë edhe përfaqësues të biznesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, jo thjesht nga Shqipëria.

Prej një dekade, Erdogan e ka kthyer Shqipërinë thuajse në një “hub” për transferimin e politikave turke në rajon, duke parë edhe raportet e shkëlqyera që ka zhvilluar në kohë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ndaj, mbi këtë premisë, pritet të ketë edhe lidhje marrëveshjesh të rëndësishme ekonomike dhe për sektorin e biznesit.

Ndërsa, një delegacion edhe më i gjerë, do të qëndrojë më gjatë në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve të B40, ku do të formalizohet me gjasë edhe binjakëzimi i Tiranës me Stambollin, nga dy krerët e bashkive respektive, Erion Veliaj dhe Ekrem Imamoglu.

Kush është Hakan Fidan, top diplomati turk?

Hakan Fidan është një emër shumë i njohur dhe i diskutuar gjerësisht në Lindjen e Mesme, për rolin dhe funksionin.

Karriera e Fidan ka qenë ajo ushtarake fillimisht, pjesëmarrës në misione të ndryshme të NATO-s dhe i diplomuar më pas edhe në Universitetin e Maryland në SHBA, për Politikë dhe Shkenca të Menaxhmit.

Ndërsa, studimet doktorale, i mbaroi në International Relations Department at Bilkent University.

Ishte pikërisht jeta akademike, ajo e cila e tërhiqte më së shumti atë, ku ka mbajtur edhe pozita me rëndësi në Turqi për vite me radhë, por kulmin e arriti kur u bë drejtues i Inteligjencës turke, në vitin 2010, edhe pse mes polemikash, pasi u akuzua nga ministri izraelit i Mbrojtjes në atë kohë, Ehud Barak, se ai do t’i shërbente në realitet Irani.

Ndër vite mbajti disa poste koordinuese në Turqi, si drejtues i Agjencisë turke për Bashkëveprim dhe Koordinim, apo më tej si anëtar bordi i dy agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara, siç janë IAEA dhe UNIDO.

Në kohë, ka qenë edhe këshilltar për sigurinë i Erdogan.

“Rojtari i sekreteve”.

Kështu e pati emërtuar presidenti turk 55-vjeçarin dikur – fjalë të cilat të sjellin në rrjedhën e të kthyerit të figurës së Fidan në top diplomatin turk tashmë.

Kjo, jo rastësisht, pasi në fund të vitit 2020, ai kishte në qendër të vëmendjes, si njeriu kyç, i cili do të shërbente për normalizimin e raporteve mes Turqisë dhe Izraelit.

Vëmendjen më parë, Fidan e pati marrë, si figurë kyçe në negociata me kurdët e PKK-së, kur një filmim i tij i një takimi negociues me eksponentë kurdë në Oslo, u bë publik.

Mirëpo ai ka qenë edhe figurë kontroverve në vitin 2013, kur u kthye në rivalin e Erdogan brenda forcës politike AKP e më tej në 2015-ën, kur u dorëhoq nga pozita e drejtuesit të MIT-së turke, për të garuar në zgjedhje. Por, brenda muajit, u rikthye në postin e lartë nga Erdogan.

Një raport i Al-Monitor, media e cila raporton në Lindjen e Mesme, i publikuar në nëntor 2020, do ta rikthente në vëmendje të madhe dhe do të tregonte se si Fidan, në detyrën e shefit turk të Inteligjencës, pati zhvilluar takime me zyrtarë të lartë izraelitë.

Zanafilla ishte nxitja e një përpjekje të Ankarasë për të normalizuar raportet mes vendeve.

Prej vitit 2018, në Izrael nuk ka pasur të dërguar turk, pasi Erdogan e tërhoqi ambasadorin nga Tel-Avivi, si shenjë revolte e vrasjes së dhjetëra palestinezëve në Gaza, gjatë disa protestave.

Më parë ka pasur po ashtu fërkime mes palëve, si rasti i vitit 2010, kur tensionet u bënë të mëdha, pasi Forcat izraelite sulmuan një anije turke, e cila kishte thyer bllokadën turke dhe po shkonte drejt Gazës, në zonat e kontrolluara nga Hamas, për të çuar ndihma humanitare.

Por prishja e raporteve me tërheqjen e ambasadorit erdhi në 2018-ën.

Kjo situatë zgjati katër vjet, kur vizitat e Fidan në Izrael, mendohet se kanë ndodhur në vitin 2020, pra dy vjet pas thyerjes së madhe.

Në tetor 2022, Erdogan caktoi ambasadorin e ri në Izrael, Sakir Ozkan Torunlar, një diplomat madhor turk, i cili kishte shërbyer më parë në Jerusalem si konsull i përgjithshëm.

Nën zë, merita qëndroi krejtësisht e Hakan Fidan, i cili kishte arritur të bashkonte palët dhe u etiketua si “ndërmjetësi i artë” për zgjidhjen e konfliktit.

Statura e tij ndërkaq u rrit edhe më tej, kur luajti rol në një ngjarje që do të korrte vëmendjen e botës, siç ishte edhe ekzekutimi i gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, nga ana e SHBA-ve.

Pikërisht figura e Fidan, mori një rritje eksponenciale, pasi bashkëveprimit që pati me SHBA-të dhe veçanërisht Izraelin, për të eliminuar gjeneralin madhor iranian, i cili drejtonte divizionin Al Quds.

Po ashtu, ai ka treguar eksperiencë edhe në çështje madhore të sigurisë kombëtare turke, kur ka qenë i përfshirë në bisedime kyçe trilaterale me Rusinë dhe Sirinë, përfshi edhe zbritjen e tij konkrete në terren për të negociuar me vendet e përfshira në konfliktin e Sirisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore