Kosova

Gruaja e Oliver Ivanoviç-it largohet nga seanca, ku raportonte Vuçiç për dialogun


MIlan Radojçiç

Milena Popoviç-Ivanoviç, gruaja e ish-politikanit të vrarë serb Oliver Inavoviç, është larguar nga seanca e 22 qershorit në Kuvendin e Serbisë, në të cilën presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, raportoi për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për agjencinë Beta, ajo tha se u largua nga salla, në momentin kur pa se i pranishëm si mysafir ishte Milan Radojçiç, i cili akuzohet nga drejtësia kosovare për vrasjen e Ivanoviçit, në qytetin e Mitrovicës, në janar të vitit 2018.

“Hetimi për vrasjen e burrit është proces i komplikuar. E di që organet tona hetuese po punojnë në zbardhjen e rastit dhe besoj se kurdoherë, të zbulohet kryesi i veprës dhe porositësi i saj”, tha Popoviç-Ivanoviç.

Ndaj Radojçiçit dhe pesë të tjerëve, gjykatat në Kosovë kanë ngritur aktakuzë më 2019, si të dyshuar për vrasjen e politikanit të moderuar serb nga veriu i Mitrovicës.

Radojçi, nga ajo kohë, i ka ikur drejtësisë së Kosovës dhe për të ishte shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar. Por në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale ka marrë vendim për tërheqjen e urdhër-arrestit.

Popoviç-Ivanoviç është deputete në Kuvendin e Serbisë nga partia e Vuçiçit, Partia Përparimtare Serbe.

Ndërsa Milan Radojçiç vlerësohet si një prej bosëve të krimit në veri të Mitrovicës dhe si vegël e pushtetit në Beograd.

Vuçiçi më herët është arsyetuar se Radojçiçi e ka kaluar testin e poligrafit, dhe se kjo është e mjaftueshme për të konstatuar se ai nuk është vrasësi i Ivanoviçit.

Ivanoviç ishte njëlloj opozitari i Listës Serbe, e formuar dhe që dirigjohet direkt nga Beogradi zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore