Lajme

Greqia zgjat rregullat e hyrjes deri më 24 janar


Në Greqi, autoritetet kanë vendosur të zgjasin për dy javë të tjera rregullat e hyrjes të vendosura ndaj të gjithë udhëtarëve.

Vendimi është bërë i ditur nga Autoriteti i Aviacionit Civil (CAA), i cili ka theksuar se rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga 10 janari dhe do të mbeten të vlefshme deri më 24 janar.

Faqja informuese Schengen Visa raporton se, në përputhje me rregullat, të gjithë udhëtarët mbi pesë vjeç duhet të paraqesin një test PCR negativ ose një test të shpejtë të marrë përpara mbërritjes së tyre në Greqi.

Gjithashtu testi PCR nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë, ndërsa testi i shpejtë nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë.

Ndërkaq, kërkesa e testimit vlen për të gjithë, pavarësisht nga kombësia ose statusi i vaksinimit.

Dhe se të gjithë udhëtarët duhet të plotësojnë një formular.

“Dëshmia e plotësimit të formularit elektronik PLF, e cila i dërgohet automatikisht pasagjerit me e-mail nga sistemi, konsiderohet si dokument i nevojshëm udhëtimi”, kanë theksuar autoritetet.

Me hyrjen e tyre në Greqi, udhëtarët mund t’i nënshtrohen një kontrolli shëndetësor të rastësishëm, që do të thotë se të zgjedhurit do t’i nënshtrohen një testi të dytë për COVID-19.

Ndërkohë, ata që rezultojnë pozitivë do t’u kërkohet t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme pesëditore.

“Kufizimi i përkohshëm fillon nga dita e nesërme e diagnozës së tyre si pozitiv me COVID-19. Pas pesë ditësh dhe nëse nuk ka simptoma ose simptomat janë përmirësuar, kufizimi i përkohshëm përfundon”, kanë sqaruar autoritetet.

Gjithashtu është zbuluar se do të zgjatet edhe ndalimi i hyrjes, i vendosur ndaj atyre që udhëtojnë nga një vend jashtë Bashkimit Evropian.

Ndryshe, udhëtarët nga vendet e treta, me përjashtim të disave, nuk mund të udhëtojnë drejt Greqisë tani për tani.

Por ata mund të udhëtojnë drejt Greqisë me kusht që të plotësojnë rregullat e hyrjes, të tilla si paraqitja e një certifikate vaksinimi dhe rikuperimi, si dhe një test negativ për COVID-19 i bërë përpara hyrjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore