Shqipëria

Greqia refuzon ndihmën e ofruar nga Shqipëria me mjete dhe efektivë të zjarrfikëses


Pas më shumë se katër orësh në doganën e Kapshticës, pala greke ka kthyer mbrapsht zjarrfikëset dhe mjetet që po shkonin për të ofruar ndihmë.

Sistemi Evropian i Mbrojtjes Civile i është përgjigjur Shqipërisë se nuk ka më nevojë për ndihma tokësore sa i takon situatës së zjarreve, pasi ato janë plotësuar nga vende e tjera të BE-së.

Çka ka bërë që zjarrfikëset e nisura të kthehen pas.

Mësohet se zjarrfikëset qëndruan disa orë në qytetin e Bilishtit dhe më pas në Pyllin e Cangonjit.

Por pas marrjes së njoftimit, janë kthyer pas.

Ministri i Mbrojtjes, Taulant Balla, ka bërë me dije se nga pala greke është njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera.

Megjithatë, ai ka shtuar se Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar “për t’iu bërë krah miqve, partnerëve dhe fqinjëve në çdo rast kur kërcënimi bën të nevojshëm riafirmimin e parimeve që na bashkojnë”.

Sipas tij, përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Shqipëria ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

“Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë”.

Zjarrfikësit janë nisur përpara disa orëve duke pritur më pas në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, aty ku do të kryenin procedurat për kalim drejt shtetit fqinj.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në median sociale “X”, ka treguar trishtim për atë çfarë po ndodh në Greqi me zjarre masive të shtrira në gjithë vendin, viktima të shumta dhe sipërfaqe të mëdha pyjore të shkrumbuara.

Një tragjedi e vërtetë më herët është regjistruar në pyllin e Dadia-s, në rajonin Evros të Greqisë, pasi janë gjetur 26 trupa të djegur emigrantësh.

Pylli, i cili u përfshi nga zjarret edhe vitin e kaluar, ndodhet mes flakësh që prej ditës së djeshme të 21 gushtit.

Teksa, zjarret masive, që prej fillimit të verës nuk kanë kursyer as ishujt grekë, me të shumtë që u gjendën në flakë dhe që dërguar përpara kohe turistët në shtëpi.

Rodosi mbi të gjitha, pa ndër zjarret më masive të dekadës së fundit, ku pamjet thuajse apokaliptike bënë xhiron e botës, me dhjetëra mijëra turistë rrugëve për të gjetur shpëtim në anije që largoheshin nga ishulli, apo edhe fluturime të mundësuara nga qeveritë e vendeve të tyre, për t’i shpëtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore