Shqipëria

“Gratë në FA duhet të përfshihen edhe në poste drejtuese”


Presidentja e Shoqatës Rinore të Traktatit Atlantik (YATA), Juxhina Gjoni, ka publikuar një artikull në Shoqatën Kanadeze të NATO-s, lidhur me debatin e përfshirjes së grave në pozitat kryesore ushtarake të Forcave të Armatosura (FA).

“Gratë në poste drejtuese kanë qenë objekt debati kohët e fundit në Forcat e Armatosura Shqiptare”, shkruan fillimisht Gjoni.

Sipas saj, një përmirësim i ri politik ishte angazhimi për miratimin e rezolutës së OKB-së për Paqen dhe Sigurinë e Grave.

Kjo e fundit shërbeu si pikë referimi për Planin e ardhshëm të Veprimit Kombëtar Shqiptar (ANAP).

Presidentja e Shoqatës Rinore të Traktatit Atlantik (YATA), Juxhina Gjoni

Tema e përfshirjes së grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë filloi të merrte vëmendje në vitin 2011.

Periudhë kur Shqipëria filloi zyrtarisht zbatimin e rezolutës 1325 të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Numra|Poste

Kur bëhet fjalë për numrat që tregojnë përfshirjen e grave, ka një përmirësim të besueshëm.

“Nëse shqyrtojmë treguesit e përcaktuar nga Plani Kombëtar i Veprimit, si përfshirja e grave në postet e larta drejtuese, lind nevoja për të vendosur një bazë të qëndrueshme se gratë kanë një rol në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve”, thekson presidentja e YATA-s.

Duke folur për barazinë, Gjoni u shpreh se agjenda duhet të shkojë përtej përfshirjes, duke u vënë theksin pozitave udhëheqëse.

“Rezoluta e OKB-së dhe dokumenti i ANAP gjatë viteve 2018-2020 janë instrumente që kundërshtojnë narrativën e vjetër fikse se sektori i sigurisë dhe mbrojtjes është një fushë mashkullore”, sqaron Gjoni në shkrimin e saj.

Sa u takon angazhimeve për figurën e gruas, presidentja e YATA-s ravijëzon se rritja e përqindjes nuk nënkupton gjithëpërfshirje cilësore.

Referuar Shqipërisë, Gjoni cilëson se integrimi i përfshirjes së grave dhe vajzave në forcat e armatosura ka krijuar një krizë gjinore në shoqërinë shqiptare.

“Respektimi i të drejtave të grave për promovim, bazuar tek arritjet e njohura ligjore në secilin zinxhir komandues, do të rezultojë në rritjen e natyrshme të numrit të grave në pozitat e larta drejtuese”, nënvizon Gjoni.

Modeli patriarkal

Në vendin tonë ekziston një model patriarkal që flet më shumë se shifrat zyrtare të grave në FA-të, sipas Gjonit.

“Nga ana ushtarake”, shton ajo, “duket se ka një tendencë në rritje, pasi 35.4 për qind e oficerëve të rinj që iu bashkuan ushtrisë shqiptare në vitin 2019 ishin gra”.

Juxhina Gjoni thotë më tej se, nga këndvështrimi historik, FA-të kanë pasur gjithmonë një figurë mashkullore në poste drejtuese.

Por, Shqipëria pati gruan e parë që shërbeu si ministre e Mbrojtjes, e ndjekur me një grua tjetër në këtë pozicion të lartë drejtues.

Një nga më të dukshmet që iu shtua këtyre përmirësimeve ishte dekorimi i gruas së parë që shërbeu si gjeneralja e parë në vitin 2018, e cila që atëherë ka qenë Zëvendësshefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Këto zhvillime, për Gjonin, tregojnë ndryshime simbolike në vend të përmirësimeve strukturore sistematike.

Ajo ngre alarmin e uljes së interesit të grave dhe vajzave për t’u regjistruar në Forcat e Armatosura.

“Kjo krizë në sistemin arsimor të Forcave tona të Armatosura rezulton në një sektor artificial të sigurisë dhe mbrojtjes, ku gratë dhe vajzat përfaqësohen sipas plotësimit të kuotave dhe jo sipas ngritjes së merituar në grada më të larta”, shprehet kreu i YATA-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore