Aplikacione

Google-i po hetohet nga autoriteti gjerman i konkurrencës


Google News Showcase, platforma që bën të disponueshme lajmet në faqen e lajmeve të Google-it, është nën hetim nga autoriteti gjerman i konkurrencës.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se autoriteti ka deklaruar se bashkëpunimi me Google-in mund të jetë tërheqës për botuesit dhe ofruesit e tjerë të lajmeve dhe t’u ofrojë konsumatorëve shërbime më të mira informacioni.

“Sidoqoftë, duhet të sigurohet që kjo të mos çojë në diskriminim midis botuesve individualë. As pozicioni i fortë i Google-it në aksesin ndaj klientëve fundorë nuk duhet të çojë në një grumbull të ofertave konkurruese nga botuesit ose ofruesit e tjerë të lajmeve”, është thënë në deklaratë.

Mirëpo, Google-i i është kundërpërgjigjur kësaj deklarate duke thënë se produkti i tij Showcase, i cili u lancua vjeshtën e kaluar, ishte një nga shumë mënyrat që kompania përzgjodhi për të mbështetur gazetarinë përmes produkteve dhe fondeve nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë botuesit.

“Showcase është një program ndërkombëtar licensimi për lajmet – zgjedhja e partnerëve bazohet në kritere objektive dhe jo-diskriminuese dhe përmbajtjes së partnerit nuk i jepet përparësi në renditjen e rezultateve tona”, është shprehur zëdhënësi Kay Oberbeck. Ai ka shtuar se Google- do të bashkëpunojë me hetimin.

Kjo rezulton të jetë çështja e dytë që do të hapet kundër Google-it në pak ditë, pasi organi gjerman i antitrustit filloi një hetim nëse gjigandi i kërkimit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shfrytëzonte dominimin e tij në treg në mënyrën se si trajton të dhënat e përdoruesit.

Gjithashtu mbikëqyrësi me bazë në Bonn ka përdorur edhe fuqitë e zgjeruara që i janë dhënë nën reformat e fundit në ligjet e konkurrencës së Gjermanisë për të hapur hetime të reja mbi praktikat e të dhënave në Facebook dhe në Amazon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore