Teknologji

Google-i në ndihmë të bizneseve të vogla


Për të siguruar një fond prej 75 milionë dollarësh në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që vuajnë nga ndikimi i pandemisë, Google-i po bashkohet me Fondin Evropian të Investimeve (EIF) dhe dy organizata të tjera në Amerikën Latine dhe Azi.

Agjensia e lajmeve, Reuters, bën me dije se fondet janë pjesë e një iniciative prej 800 milionë dollarësh të cilat janë shpallur në nisje të pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar.

Lidhur me ndihmesën, Google-i ka deklaruar se do të investojë në dy prej fondeve të EIF-it. 15 milionë dollarë në kapital kredie do të shkojnë për një mijë biznese të vogla evropiane, ndërsa 10 milionë dollarë do të shkojnë në fondin e kapitalit sipërmarrës të EIF-it duke mbështetur 200 kompani të industrisë bioteknologjike.

Reuters shkruan se për sa i përket Amerikës Latine, Google-i do të punojë me Bankën Ndër-Amerikane të Zhvillimit duke kryer shpërndarjen e tetë milionë dollarëve për kompanitë e vogla.

Kompanitë indiane do të marrin 15 milionë dollarë prej fondeve, kurse 26 milionë dollarë fond kredie do të shkojnë në ndihmë të bizneseve në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe Indonezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore