Kosova

Gola: “Kërkesa për 100 euro jolegjitime, minon komunikimin dhe dialogun social”


Ardian Gola

Kryetari i Komisionit për Arsim në Parlamentin e Kosovës, Ardian Gola, ka tentuar që grevën e përgjithshme në arsim ta relativizojë me qeveritë e kaluara duke thënë se është “problem i kulturës së trashëguar të dialogut social”.

“Në të kaluarën vetëm dialog nuk mund të themi se kemi pasur, për shkak se në organizimet sindikale në të shumtën e rasteve kanë ardhur në shprehje kërkesat ad-hoc dhe në të njëjtën kohë përmbushja e atyre kërkesave nga pushtetet e kaluara ka qenë një përmbushje ad-hoc dhe pa plan e pa mbështetje ligjore”, ka deklaruar ai në RTK.

Profesori universitar tha se Vetëvendosje po dëshiron të ndryshojë këto praktika dhe “ta transformojë edhe kulturën e dialogut”.

“Pushteti aktual si një e majtë progresiste dëshiron ta ndryshojë kursin, ta transformojë edhe kulturën e dialogut, me ç‘rast kërkesat sindikale duhet të gjejnë mbështetje sa ligjore edhe racionale”, ka theksuar Gola.

Ai kërkesën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimin, Shkencës dhe Teknologjisë për rritje page prej 100 eurove, e cilësoi si “jolegjitime” dhe “arbitrare”.

“Kërkesë legjitime është të thuash kemi një inflacion dhe kërkojmë nga Qeveria si kategori e caktuar buxhetore të na mbështetni. Por të thuash ja 100 euro ja greva vazhdon, mendoj se është një kërkesë sa arbitrare aq edhe absolutiste, e që e minon vetë procesin e komunikimit dhe dialogun social”, ka shtuar deputeti.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore