Lajme

GLPS kërkon që deputetët të mos e votojnë Projektligjin për Fondin Sovran – rrezikohet seriozisht ekonomia e tregut në Kosovë


Kuvendi i Kosovës

Organizata jo-qeveritare, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, (GLPS), ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës, të mos e votojnë në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran duke e shndërruar atë në ligj, meqë sipas tyre Projektligji në përmbajtjen aktuale rrezikon seriozisht ekonominë e tregut në Kosovë.

Organizata jo-qeveritare në fjalë është shprehur i shqetësuar me pjesë të caktuara të përmbajtjes së Projektligji për Fondin Sovran, dhe nga mënyra se si është konceptuar ky projektligj në përgjithësi, andaj ka kërkuar që deputetët të ndryshojnë disa pjesë të këtij projektligji, në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën, dhe parimet e tregut të lirë.

“Projektligji për Fondin Sovran karakterizohet nga një shpërfillje flagrante nga themelet e ekonomisë së tregut, kjo e fundit e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e organizatës jo-qeveritare.

GLPS ka kundërshtuar ndër të tjera autorizimet aktuale të Fondit Sovran që të bëj investime në kompanitë private ku shteti bëhet pjesëmarrës në ekonomi duke i dhënë fund ekonomisë së tregut.

“GLPS thekson se do të ishte e gabuar të thuhet se te ne kemi ekonomi të lirë të tregut që lulëzon, dhe se atë po e rrezikon ky Projektligj. Përkundrazi. Por, eksploatimi i kësaj gjendje përmes Fondit Sovran – ndër të tjera – si shoqëri aksionare që investon në kompani të brendshme private dhe komplementohet nga skema e sipërmarrjeve kampionë, është e destinuar të vë vulën e fundit mbi tregun e lirë, edhe ashtu fragjil në Kosovë”, argumenton më tej kjo organizatë jo-qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore