Lajme

Gjyldane Kiçmari shkarkohet nga pozita e anëtares se bordit të KOSTT-it


Gjyldane Kiçmari anëtare e bordit të KOSTT-it dhe Kuvendi i Kosovës

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 62 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, Kuvendi i Kosovës e shkarkoi zonjën Gjyldane Kiçmari nga pozita e anëtares së bordit të ndërmarrjes KOSTT-it.

Kjo nuk ishte paraparë më herët, por rendi i ditës u plotësua edhe me një pikë të rendit të ditës, që ka të bëjë me shqyrtimin e raportit për shkarkimin e Xhyldane Kiçmari, anëtare e Bordit të ndërmarrjes KOSTT.

Ky propozim erdhi nga Komisioni për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi dhe Tregti.

Abelard Tahiri nga LDK, ka thënë se e mbështet një propozim të tillë, pasi që edhe vitin e kaluar kur është votuar personi kanë qenë kundër.

“Mendojmë që largimi i saj është një lajm i mirë sepse nuk kemi pasur njerëz profesionistë por kemi pasur njerëz me mbështetje politike në këtë institucion”, ka thënë Tahiri.

Ai për këtë rast i bëri thirrje agjencisë kundër korrupsionit.

“I bëj thirrje Agjenicsë kundër korrupsionit që të monitorojë mirë që të gjitha rastet që paguhen me pagat të tilla të dyfishta që janë në konflikt të interesit që të shkarkohen në mënyrë që mos të abuzohet me taksat e qytetarëve”.

Gjatë kësaj seance është miratuar me 87 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Ligjin nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me Qeverinë e Hungarisë.

“Bëhet fjalë për marrëveshjen financiare ndërkombëtare të kredisë së ndërlidhur me Qeverinë e Hungarisë në vlerë prej 62 milionë eurove”, deklaroi Murati.

Ai ka kërkuar nga deputet që të mbështet ky ligj.

Ndërkaq, Elmi Reçica nga PDK, ka thënë se kjo marrëveshje ndikon tek qytetarët pasi që është një ligj i veçantë.

“Është një ligj i veçantë dhe është një marrëveshje që ndikon te qytetarët e Kosovës dhe në shtojcën e kësaj marrëveshje është paraparë që ato para që do të merren në formën e përcaktuar me këtë marrëveshje që të investohen në përpunimin dhe trajtimin e ujërave të zeza dhe të ujit të pijshëm”.

Po ashtu, Avdullah Hoti nga LDK, e mbështeti këtë marrëveshje.

“E mbështesim këtë marrëveshje që është e një rëndësie të veçantë. Pres që Qeveria dhe ministritë përkatëse të shkojnë përpara në zbatimin e kësaj marrëveshje”.

Besnik Tahiri nga AAK tha se kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçante.

Gjatë kësaj seance, e asnjë vota për, 57 kundër dhe 7 abstenim, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar raporti vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020.

Daorsa Kica Xhelili, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje i propozoi kuvendit mos miratimin e këtij raporti, pasi sipas saj nuk i përmbush obligimet ligjore.

“Komisioni për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal, shqyrtoi raportin vjetor të këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovë për vitin 2020 dhe besoi se i njëjti nuk i përmbushë obligimet ligjore për raportim dhe kuvendit i rekomandon mos miratimin e tij”, tha ajo.

Po ashtu, me 1 votë për, 56 kundër dhe 7 abstenim, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020.

E, me asnjë votë për, 57 kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi Raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2020.

Ndërkaq, për shqyrtimin e raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, nuk ka pasur kuorum për ta trajtuar këtë pikë, andaj është shtyrë për në seancat e ardhshme.

Me asnjë votë për, 55 votë kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e miraton raportin vjetor të komisionit rregullativ të prokurimit publik për vitin 2020.

Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar me 62 vota për, asnjë  kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar që deputeti Adem Hoxha të jetë anëtar në komisionin për mbikëqyrjen e financave publike dhe ta zëvendësojë deputeten Jasmina Dediç.

Ndryshe, Glauk Konjufca, e shpalli të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës

“Sot, po e shpallim të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës dhe që nga ky moment kuvendi zyrtarisht shkon në pushim deri kur të kthehemi për sesionin vjeshtor”, tha Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore