Lajme

Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit dhe Veselit


Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

Ky vendim është marrë më 26 maj, ndërsa është bërë e ditur në faqen zyrtare të Speciales të enjten e 9 qershorit.

Gjyqtari francez i procedurës paraprake ka urdhëruar që mbrojtja të dërgojë parashtresat e saj në lidhje me shqyrtimin tjetër të paraburgimit deri më 29 qershor.

Ndërkaq, Prokurorisë i është dhënë afat që këtë ta bëjë deri më 6 korrik.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në vendimin ndaj Thaçit, është thënë se ekziston rreziku që ai të arratiset në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij bazuar në pozitat e kaluara të fundit që ai ka mbajtur.

“Në mungesë të ndonjë zhvillimi ndërhyrës, këto gjetje vazhdojnë të jenë të vërteta aktualisht. Referencat e përgjithshme të mbrojtjes për kundërshtimet e saj ekzistuese janë të pambështetura dhe, në çdo rast, gjyqtarit të procedurës paraprake nuk i kërkohet të rishikojë argumentet e gjykuara më parë”, thuhet në vendim.

Po ashtu, është thënë se pasi Thaçi është në dijeni për akuzat e tij, rritet rreziku për t’u arratisur.

“Edhe nëse materialet e theksuara nga mbrojtja do të ishin relevante për vlerësimin e rrezikut të arratisjes, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se: (i) Mbrojtja i referohet pikëpamjes së z. Everts për aktivitetet e UÇK-së pas qershorit 1999, e cila nuk mbulon të gjithë shtrirjen kohore të akuzave kundër z. Thaçi duke pasur se krimet e supozuara do të kishin filluar së paku nga marsi 1998”.

Gjykata Speciale në Hagë.

“Deklarata e z. Everts përmban elemente shfajësuese dhe inkriminuese dhe sasia e kufizuar e materialeve të theksuara nga Mbrojtja nuk janë përcaktuese në lidhje me akuzat e ngritura kundër  Thaçi, duke pasur parasysh sasinë e konsiderueshme të materialeve që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se Thaçi është penalisht përgjegjës për një sërë krimesh”, ka konstatuar gjykatësi Guillou.

Ngjashëm është thënë edhe për Veselin, pavarësisht nga faktorët të cilat ishin identifikuar në vendimin e parë të paraburgimit, rreziku i arratisjes në lidhje me Veselin vazhdon të ekzistojë.

“Duke kujtuar se masat mbrojtëse të vendosura nuk janë plotësisht të mjaftueshme për të zbutur rrezikun e pengimit, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, e cila, madje, ndonëse jo përcaktuese në vetvete, ofron kontekstin kundër të cilit duhet të merren parasysh gjetjet që i përkasin veçanërisht Veselit”, thuhet në këtë vendim.

Edhe për ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës, nga gjyqtari është thënë se roli i tij vazhdon të jetë relevant bazuar në pozitat që ka pasur më herët.

“Dhe (ii) vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë në bazë të pozitave të mëparshme që ka pasur,të cilat do të vazhdonin t’i mundësonin atij, për shembull, të ketë akses informacionin ose të nxiste mbështetjen e të tjerëve”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kujton më tej se ai gjeti se provat zbulojnë se, derisa  Veseli ishte në krye të SHIK-ut, anëtarët e SHIK-ut ishin të përfshirë në ndërhyrjen e dëshmitarëve”, thuhet tutje në vendim.

Kadri Veseli.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Më 25 shtator në Prishtinë janë arrestuar edhe krerët e Organizatës të Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 7 tetor, dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore