Gjykata Speciale

Gjykata Speciale s’e liron me kusht Nasim Haradinajn


Nasim Haradinaj

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, nuk do të lirohet me kusht nga Gjykata Speciale, ashtu siç u raportua për ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

Lajmi është bërë i ditur nga Gjejlone Haradinaj – bashkëshortja e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kwtw e kuptuar vesh të enjten nga avokati i Haradinaj se ai nuk është liruar.

“S’pritet drejtësi nga Gjykata që merret me thashethemet e rrjeteve sociale”, shkroi.

Ajo ndau edhe momentin kur ka biseduar në telefon me bashkëshortin e saj, ku edhe pas këtij vendimi tha se ishte “i qetë”.

“Asnjë padrejtësi nuk ia arriti më të mposhtë. Kjo me jep edhe mu forcë dhe durim. Je krenaria jonë”, theksoi Haradinaj.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e kanë konfirmuar se kanë aprovuar kërkesën e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, për lirim me kusht nga burgu në Hagë.

“Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë Zëdhënësi i Speciales Michael Doyle për Albanian Post.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se avokatët të Gucatit i kanë konfirmuar atij se Specialja do të lirojë me kusht Gucatin nga burgu.

“Dje kam biseduar me avokatët dhe më kanë treguar që është marrë vendimi për lirimin e Hysni Gucatit. Ai pritet të vije në Kosovë javën e ardhshme”, tha ai.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Gucati e Haradinaj ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Specialja s’e konfirmon lirimin me kusht të Gucatit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore