Lajme

Gjykata Speciale i vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit


Ish udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi

Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, ka bërë të ditur se kjo gjykatë ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Griep në konferencën për media përmes platformës online “Zoom”, të mbajtur të enjten e 27 janarit, ka dhënë informacione mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

E para e informimit nga kjo gjykatë, ka bërë të ditur se në rastin Thaçi dhe të tjerët, të martën, me 25 janar, një version i redaktuar publik i vendimit i gjykatësit të procedurës paraprake është dorëzua, me të cilin urdhërohej mbajtja e mëtejme në paraburgim e Hashim Thaçit.

Hashim Thaçi

“Gjykatësi i procedurës paraprake konstatoi që rreziku se i akuzuari të pengoj procedurat ose të kryej krime të tjera mund të zbutet mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimit të objekteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Griep.

Më tej, Griep tha se të premten e 21 janarit, trupi gjykues ka urdhëruar mbajtjen e mëtejshme në paraburgim edhe të Salih Mustafës.

Gjykatësit konstatuan se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurës vazhdon të ekzistojë, përfshirë rrezikun e ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë ka thënë ajo.

“Më 25 janar 2022 dëshmitari i dytë i fundit i thirrur nga prokuroria dëshmoi në rastin Salih Mustafa për zinxhirin komandues, modalitetet e komunikimit dhe lëvizjet e UÇK-së në rajonin e Gollakut.

Ajo ka thënë se dëshmitari ka dëshmuar pa masa mbrojtëse. Ndërkaq, shtoi se javën e ardhshme, më 1 shkurt 2022, dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria pritet ta fillojë dëshminë në rastin Mustafa.

“Prokuroria pritet të mbyll çështjen me 4 shkurt. Me 11 shkurt mbrojtja dhe avokati i viktimave do t’i paraqesin listat e tyre përkatëse të dëshmitarëve dhe të provave”.

Griep ka thënë gjithashtu se më 17 dhe 18 shkurt trupi gjykues do të mbajë një konferencë mbi ecurinë e çështjes në prani të prokurorisë, mbrojtjes, avokatit të viktimave dhe zyrën administrative për të diskutuar për fazat e ardhshme të çështjes.

Trupi gjykues sipas Griep do të vendosë për numrin dhe modalitetet e dëshmitarëve që do të dëgjohen, për datat dhe orarin e seancave.

Ndërsa në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e Haradinajt dëshmoi të premten, më 21 janar.

“Dëshmitari dëshmoi për fushën e përkufizimit dhe jurisprudencën e sinjalizimit. Dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e Haradinajt e filloi dëshminë e tij të hënën me 24 janar përmes video-lidhjes”, ka thënë ajo.

Sipas saj, dëshmitari i katërt ka dëshmuar për operacionet e kontrollit dhe sekuestrimit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Dëshmia e tij do të vazhdoj të premten me 28 janar, në orën 8:00. Pas kësaj dëshmie trupi gjykues do t’i dëgjoj parashtresat e mbrojtjes dhe të prokurorisë për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në këtë rast”, ka thënë Griep.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë konferencë informuese ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore