Lajme

Zlatan Arsiç lirohet nga akuza për krime lufte, gjykata s’arrin ta dëshmojë se ishte pjesëtar i policisë serbe


Zlatan Arsiç.

Zlatan Arsiç, i akuzuar për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, është liruar nga akuza, të hënën e 5 shkurtit.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësja Valbona Musliu- Sejdiu.

“Gjykata pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitareve, prokuroria përsëri s’ka arritur ta argumentoi faktin se i akuzuari Arsiç ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur ta provoj se ishte ai që ka maltretuar B.M apo se i njëjti ishte personi që ia ka djegur shtëpinë”, ka thënë gjykatësja.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila pretendonte se Arsiç në mars 1999-ës para bombardime të NATO-s, në stacionin policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë.

Të njëjtin e kishin rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I njëjti po ashtu akuzohet se ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore