Lajme

Gjykata në Prishtinë, dënon me 4 vite një person për pjesëmarrje në grupet terroriste


Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special të mërkurën ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit N.L, për shkak të veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Në njoftim thuhet se i akuzuar është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 1 gusht të 2018 e tutje por jo më shumë se dënimi i shqiptuar, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve.

Të akuzuarit N.L i është vazhduar masa e paraburgimit e cila do të zgjasë derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.

Ndryshe, më 15 shkurt, në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore në Prishtinë Skender Qerimi, ka pranuar fajësinë për akuzat për pjesëmarrje në një grup terrorist.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e kishte dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Afrim Shefkiu.

“E pranoj pjesëmarrjen në grupin ISIS, e pranoj fajësinë në tërë veprën penale e cila më vihet në barrë sipas aktakuzës dhe këtë pranim e bëjë me vullnet të lirë pas konsultimit me avokatin tim”, ka thënë i akuzuari Qerimi i cili është i njohur me nofkën “Ebu Dher”.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit e ka mbështetur në tërësi mbrojtësi i tij, avokati Ilir Rashiti dhe prokurori Shefkiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore