Lajme

Gjykata liron në shtëpi Milan Mihailoviçin, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit


Milan Mihailoviç, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, u lirua nga Gjykata. Në fakt, atij i është zbutur masa e sigurisë, nga paraburgimi, në arrest shtëpiak, meqë sipas avokatit të tij Miodrag Bërkljaç, ai do të paraqitet në stacion të policisë dy herë në javë, të martën dhe të enjten.

Ai u arrestua në tetor të kaluar dhe akuzohej se ishte “i lidhur drejtpërdrejt me grupin që i ka marrë jetën Ivanoviçit”, dhe po mbahej në paraburgim.

Por, prokurori i rastit nuk ka arritur të mbledhë prova për veprat penale me të cilat ai ngarkohej dhe të mërkurën e ka liruar.

Mihailoviç akuzohet edhe se është pjesë e “grupit të organizuar kriminal që kryen aktivitete në veri”.

Përfaqësuesi i tij ligjor, Miodrag Bërkljaç e ka konfirmuar për Kossev, se i mbrojturi i tij tani është pranë familjes në Leposaviq

“Pas pesë muajsh në paraburgim, me vendim të gjyqtarit për procedurë paraprake është liruar nga paraburgimi. Ai ndodhet në Leposaviq me familjen e tij”, ka thënë Bërkljaç.

Kjo masë u revokua, por gjyqtari, siç sqaron më tej avokati, vendosi një masë tjetër, paraqitjen në stacion të policisë dy herë në javë. Ai duhet të paraqitet në stacion të martën dhe të enjten dhe kjo masë do t’i zgjasë dy muaj – deri më 15 maj.

Bërkljaç shpjegon se gjyqtari fillimisht ka konkluduar, atë që ai vetë ka vënë në dukje, se në pesë muaj prokurori nuk ka arritur të mbledhë asnjë provë të vetme.

“Pesë muaj janë të mjaftueshme që ai të mbledhë disa prova që konfirmojnë tezën e tij se ekziston dyshimi i bazuar se Mihailoviç ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, beson Bërkljaç.

Gjëja e dytë për të cilën gjykatësi vendosi të lirojë Mihailoviçin është, siç thekson Bërkljaç, fakti se ai është banor i Leposaviqit, se ai ka vendbanim atje, se ka jetuar në një banesë atje dhe vazhdon të jetojë me familjen e tij. Fëmijët e tij shkojnë në shkollë atje, se ai ka shtëpinë dhe pronën e prindërve në një fshat aty pranë dhe se kultivon mjedra.

“Rrjedhimisht, gjykatësi arriti në përfundimin se ai nuk kishte asnjë motiv për të ikur nga Kosova”, thotë Bërkljaç.

Prokurori, nga ana tjetër, ka kërkuar sërish që Mihailoviçit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj, gjë që gjyqtari e ka refuzuar menjëherë.

Mihailoviç u mor në pyetje javën e kaluar, por ai i mohoi akuzat ndaj tij, të cilat janë “pjesëmarrje në vrasje të rëndë” dhe “anëtarësim në një grup të organizuar kriminal”.

Avokati i tij vlerëson se “akuza më e rëndë” ndaj tij është se ai është i lidhur drejtpërdrejt me grupin e personave që i morën jetën Oliver Ivanoviçit.

Po ashtu, Bërkljaç konsideron se është akuzë e rëndë se është pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal që kryen aktivitete në veri të Kosovës dhe se në këtë mënyrë merr pjesë në kryerjen e krimeve të ndryshme të rënda.

“E gjithë kjo mbetet ende ‘duke prekur në errësirë’, sepse prokurori nuk ka mbledhur prova. Por do të shohim se çfarë do të bëjnë mandej. Nëse do ta dënojnë atë apo ndoshta do të heqin dorë nga procedura – këtë do ta shohim”, tha avokati i Mihailoviçit për KoSSev.

Mihailoviç u arrestua më 20 tetor në vitin 2022, megjithëse ishte në kërkim që nga viti 2019.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ai po ashtu është arrestuar me dyshimin se si pjesëtar i grupit të organizuar kriminal ka marrë pjesë aktive në ekzekutimin e veprës penale të “Pjesëmarrje apo organizim i grupit të organizuar kriminal” dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” – për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç përmenden në aktakuzën e tretë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, përveç gjashtë emrave – të cilët janë caktuar si udhëheqës të grupit kriminal të lidhur me vrasjen e këtij politikani serb.

Hetimi për Veselinoviç filloi në prill të vitit 2019, kur emri i Milan Mihailoviç u shtua në listën e personave që do të hetohen. Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021 u zbulua lista e Ministrisë së Financave të SHBA-së me 13 biznesmenë dhe persona nga veriu që u gjendën nën sanksionet e SHBA-së, mes tyre edhe emrat e përmendur në aktakuzë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit: Milan Radoiçiç, Zvonko Veselinoviç, Zharko Veselinoviç, Zhelko Bojiç, Marko Roshiç dhe Milan Mihailoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore