Lajme

Gjykata filipinase i jep të drejtë nobelistes Ressa mbi evazionin fiskal, fitore për shtypin e lirë


Një gjykatë në Filipine ka vendosur të zhbëjë çdo akuzë ndaj gazetares Maria Ressa dhe gazetës Rappler, pas akuzave se kjo e fundit e kishte zhvilluar aktivitetin duke kryer evazion fiskal.

Një lëvizje nga sistemi gjyqësor filipinas, e cila u njoh botërisht si një fitore e vërtetë për shtypin e lirë dhe median në tërësi.

Nëse do të dënohej, Ressa, një gazetare fituese e çmimit Nobel për paqen në vitin 2021, së bashku me kolegun e saj rus, Dmitry Muratov, mund të përballej deri me 34 vjet burgim.

Çështja kundër saj filloi në vitin 2018, gjatë kohës kur në krye të vendit ishte Rodrigo Duterte.

Specifikat e akuzave të ngritura nga shteti për evazion fiskal lidheshin me financimet e huaja që gazeta e Ressa-s kishte marrë, të cilat kapnin shifrën e 2.58 milionë dollarëve dhe nuk ishin deklaruar për taksim.

Sipas avokatëve të saj mbrojtës, gjithçka ishte e ligjshme dhe mënyra se si financimet ishin marrë  nga investitorët e huaj, rrjeti Omydar dhe North Base Media, nuk kishin nevojë për t’u taksuar, duke iu referuar ligjit filipinas.

Mbi këtë rrjedhojë, u vendos përfundimisht se gazetarja nobeliste kishte të drejtë dhe çështja tashmë mbyllet në favorin e saj, për të vijuar me opozitarizmin ndaj pushtetit dhe përcjelljen e faktit dhe të vërtetave te publiku.

Vetë ajo, e quajti fitoren e saj një shëmbëlltyrë të mbizotërimit të ligjit për çdo qytetar dhe një triumf për të gjithë filipinasit, të cilët më parë janë akuzuar apo dënuar padrejtësisht.

Kush është Maria Ressa?

58-vjeçarja Maria Ressa, gazetare veterane e Filipineve, është kthyer në simbol të luftës për lirinë e shtypit në një epokë të udhëheqësve të fortë.

Ish-reporterja e “CNN” krijoi në vitin 2012 faqen e lajmeve “Rappler”, duke bashkuar raportimin multimedial dhe mediat sociale për të ofruar një vështrim të gjerë mbi ngjarjet aktuale të Filipineve dhe një sy kritik ndaj qeverisë së presidentit Rodrigo Duterte.

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel për Paqen - Top Channel

Vetë Ressa dhe “Rappler”-i i saj janë përballur me akuza dhe hetime të shumta penale, pasi publikuan histori kritike për Duterte dhe luftën e tij të përgjakshme të drogës.

Në vitin 2018, ajo është emëruar si Personi i Vitit për punën e bërë në lirinë e shtypit, por arrestimet rritën më tej profilin e saj ndërkombëtar dhe tërhoqën më shumë vëmendje për rastin e saj.

Raportimi i saj ka nxitur një seri akuzash penale, dy arrestime dhe kërcënime të panumërta në internet kundër saj dhe “Rappler”.

Faqja është dashur të luftojë për mbijetesë, pasi qeveria e Duterte e ka akuzuar atë për shkelje të një ndalimi kushtetues mbi pronësinë e huaj në sigurimin e fondeve, si dhe shpifje dhe evazion fiskal.

Gjithashtu ai e ka sulmuar faqen për lajme të rreme, nisur nga një histori për një nga ndihmësit e tij më të afërt.

Pavarësisht rreziqeve që iu kanosën, Ressa ka qëndruar në Filipine dhe ka vazhduar të flasë kundër qeverisë së Duterte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore