Shqipëria

Gjykata e Lartë mirëpret tre anëtarët e rinj të sapo dekretuar


Gjykata e Lartë ka mirëpritur në një ceremoni mirëseardhje të hënën e 20 qershorit tre anëtarët më të rinj të trupës gjyqësore.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Gjykata ka uruar për fillimin e detyrës për gjyqtarët Sokol Ngresi, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri. Këta dy të fundit u dekretetuan nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Kujtojmë që më 3 qershor Gjykata e Lartë arriti kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t’u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara, pas dekretimin nga Meta të Sokol Ngresit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në sallën e Kolegjeve të Bashkuara morën pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, anëtarë të tjerë të KLGJ-së, si edhe përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate Sokol Sadushi u shpreh se, Gjykata e Lartë ndjehet e vlerësuar me ardhjen e kolegëve të rinj, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre profesionalizëm dhe integritet.

Ai theksoi faktin se emërimi i tyre do të ndihmojë në gjykimin e më shumë çështjeve gjyqësore, në të tre kolegjet (administrativ, civil, dhe penal).

Po ashtu vlerësoi angazhimin e KLGJ-së për të sjellë gjyqtarët më të mirë në Gjykatën e Lartë, proces i cili kërkon natyrshëm kohë dhe profesionalizëm.

Duke i uruar suksese gjyqtarëve, Sadushi theksoi se shtimi i radhës së gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet në Gjykatën e Lartë, sjell pa dyshim përmbushjen me sukses të asaj çfarë kërkon publiku në çdo kohë, besimin tek organet e drejtësisë, në mënyrë që qytetari të ketë mbrojtjen dhe sigurinë maksimale që i jep ligji.

Nga ana e saj Kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami u shpreh se ardhja e gjyqtarëve të rinj dhe të kualifikuar në Gjykatën e Lartë, rrit pritshmërinë për një drejtësi sa më cilësore dhe vendimmarrje sa më të shpejtë, për të bërë të mundur evadimin e numrit të lartë të çështjeve që presin të gjykohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore