Lajme

Gjykata e Kosovës dënon Shqiptarin që luftoi përkrah ISIS-it


Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist Fidan Demollin, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë që luftoi për ISIS-in.

Sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, i akuzuari për pjesëmarrje terroriste Demolli i’u është shqiptuar dënim me dy vite e gjashtë muaj burgim.

Në seancën e 18 janarit, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe tha se ndjehet i penduar.

Gjykatësja Shadije Gërguri gjatë shpalljes së aktgjykimit, ka njoftuar se të akuzuarit Demolli, në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, i akuzuari është i obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës për paushallin gjyqësor në shumën prej 50 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

I akuzuari Demolli në gusht të vitit 2014, së bashku me Ardian Hyseni nga Prishtinë, përmes vendkalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut, me qëllim që t’i bashkëngjiteshin organizatës terroriste ISIS në Siri, raporton “Betimi për Drejtësi.

Që të dy të akuzuarit kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS dhe janë pajisur me armë dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, dhe pastaj është riatdhesuar në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore