Kosova

Gjykata e Apelit pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës


Ilustrim

Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli gjithashtu ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundërpropozueses ZRrE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, i cili ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit, pasi sipas tij me këtë vendim u rikonfirmuar që ZRRE ka bërë shkelje ligjore me vendosjen e tarifa më shtrenjta të energjisë elektrike.

“Pushtetit i humbën edhe argumentet e fundit që i kishin. Për faj të tyre qytetarët u shfrytëzuan. Vetëm që të ruhet profiti i një kompanie u shkel edhe ligji. Rikonfirmimi nga Gjykata e Apelit është fitore e qytetarëve dhe e rezistencës ndaj shfrytëzimit. Tash, hapi i i parë tutje është dorëheqja e menjëhershme e bordit të ZRRE-së”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore