Kosova

Gjuriç në takim me Borrellin, pretendon se po cenohet siguria e serbëve të Kosovës


Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka pretenduar se siguria e serbëve në Kosovë është duke u cënuar.

Përmes një komunikate të lëshuar nga MPJ e Serbisë, është thënë se ata janë plotësisht të përkushtuar për dialogun.

“Serbët po vuajnë presion të padurueshëm si rezultat i kulmimit të veprimeve afatgjata dhe sistematike të njëanshme të autoriteteve në Kosovë”.

“Në këtë moment është e nevojshme, para së gjithash, të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe pa vonesa të mëtejshme të zbatohen të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë Gjuriç.

Sipas tij, situata në Kosovë “është jashtëzakonisht e vështirë”.

Më 11 qershor, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se s’ka probleme me serbët lokalë që popullojnë pjesën veriore, por me Serbinë që s’u distancua asnjëherë nga trashëgimia e fashizmit të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në burg derisa gjykohej për krime lufte, por edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili vazhdon terrorin në Ukrainë.

Në kuadër të samitit “Ballkani Perëndimor 2024: Çlirimi i potencialit të rajonit” të martën, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se Kosova u ofroi të drejta serbëve lokalë, duke ua mundësuar integrimin e plotë në shoqërinë kosovare.

Ai kujtoi se 10 nga 38 komuna në Kosovë janë me shumicë serbe.

Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara me serbë etnikë, janë përpjekur ndër vite të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia.

Serbët në veri të territorit të Kosovës, nën udhëheqjen e qeverisë së Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Kosovë, kundërshtojnë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, madje në mënyrë të dhunshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore