Lajme

Gjukanoviç: Serbia do të ishte anëtare e BE-së, po të ishte gjallë Gjingjiç


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter”, tha se Serbia dhe rajoni do të dukeshin ndryshe nëse do të ishte gjallë ish-kryeministri serb Zoran Gjinxhiç.

“Zorani do ta kishte arritur qëllimin e tij politik dhe jetësor. Serbia tashmë do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian”, shkroi Gjukanoviç në Twitter, njëzet vjet pas vrasjes së Gjinxhiç-it.

“Me vrasjen e tij u vra e ardhmja evropiane e Serbisë dhe e Ballkanit Perëndimor për një kohë të gjatë”, theksoi Gjukanoviç, ndërsa shtoi se Gjinxhiç ishte miku dhe shoku i tij i dashur.

Këtë të diele shënohet 20 vjetori i vrasjes së kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç, dhe për këtë çështje ka folur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Ai tha se fjalët dhe veprat e Gjingjiç-it janë ende frymëzim edhe sot, dy dekada pas vrasjes së tij nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit.

“Trishtim i madh, sigurisht, sepse atëherë ishte një situatë premtuese që u mbyll shpejt në një kohë kur përparimi mund të ishte i shpejtë. Mendoj se kishim një kohë kur mund të ishte bërë përparim”, deklaroi ambasadori amerikan.

Gjingjiç ka qenë kryeministri i parë i Serbisë, i zgjedhur pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviç-it në vitin 2000. Ai kërkonte reforma pro-demokratike në Serbi, dhe po ashtu avokonte për integrim të Serbisë në Evropë.

Nën urdhërat e Milorad “Legija” Ulemekut, ish-komandant i një njësie speciale të policisë sekrete të Jugosllavisë, Gjingjiç ishte vrarë. Vrasësi quhej Zvezdan Jovanoviç. Ulemek dhe Jovanoviç janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore