Lajme

Gjukanoviç në balotazh me Milatoviç, një rrezik i pamenduar për presidentin malazez


Do të jetë Jakov Milatoviç, rivali i Milo Gjukanoviç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Malit të Zi, pas përmbylljes së raundit të parë të votimeve, më 19 mars.

Ashtu si pritej, Gjukanoviç, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe president aktual i vendit, si politikani më i sprovuar në pushtetin malazez prej dekadash, rezultoi më i votuari me 35.2% të totalit në favor të tij.

Ajo që nuk pritej gjithsesi, ishte fakti se konkurrent do të kishte kandidatin e Lëvizjes Evropa Tani, Milatoviç, i cili ka arritur të marrë 29.2% të votave dhe ka lënë pas kundërshtarin e tij direkt, Andrija Mandiç.

Ky i fundit veç 19.3% të votave ka arritur të marrë.

Mirëpo, me një kundërshtar si Milatoviç, Gjukanoviç rrezikon shumë më shumë në postin e tij tashmë, pasi një bashkim eventual i fronteve opozitare, mund t’i jepte fitoren politikanit të ri.

Nëse përllogariten vetëm votat e Mandiç, të bashkuara me ato të Milatoviç, rezultati qëndron shumë pranë 50%-shit të nevojshëm për të bërë rokadën presidenciale.

Nëse shtohet edhe fakti se Aleksa Beçiç i Malit të Zi Demokratik, ka arritur të marrë një përqindje të lartë, me 10.9 pikë, në raundin e parë, atëherë rreziku për Gjukanoviç është më se i dukshëm.

Presidenti malazez ka një rënie të ndjeshme të pëlqyeshmërisë në publik në këto zgjedhje, pasi në vitin 2018, kishte arritur të merrte 53.9% të votave.

Këtë herë, ai ka marrë thuajse 20 pikë përqindjeje më pak, gjë që reflekton edhe pakënaqësinë rreth figurës së tij.

Mbi të gjitha, me faktin kur 63.6% e qytetarëve malazezë, kanë votuar në raundin e parë, duke reflektuar pjesëmarrje të kënaqshme.

Vetë Gjukanoviç, e theksoi se besonte se një raund i dytë, do të ishte i nevojshëm.

“Kjo është një mundësi për Malin e Zi që të konfirmojë aftësinë e tij për të jetuar në kushte të stabilitetit politik dhe social, për të zbatuar reforma, për të arritur standardet dhe për të arritur një qëllim që mbështetet me gjithë zemër nga tre të katërtat e shoqërisë malazeze”, tha ai në mbyllje të procesit.

Gjukanoviç, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekadat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991. Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore