Lajme

Gjukanoviç kërcënohet me vdekje


Millo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe bashkëshortja e tij, Llidija, kanë marrë të premten kërcënime me vdekje përmes rrjetit social, Twitter.

Polica malazeze ka deklaruar se është duke u marrë me këtë rast, ndërsa nga Prokuroria Themelore e Shtetit ka dhanë urdhër që të hetohet se kush e ka bërë kërcënimin nga llogaria në Twitter.

Kërcënimet, që e lidhin fatin e Gjukanoviç’it me atë të diktatorit italian, Benito Mussolini, u dërguan nga një llogari me emrin Boris Jankoviç.

Postimi u shoqërua me një fotografi të ekzekutimit të Mussolinit.

Gjukanoviq është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.

Të mërkurën, nga e njëjta llogari në Twitter u dërguan kërcënime me vdekje edhe ndaj deputetes, Draginja Vuksanoviç Stankoviç, e cila po ashtu garon në zgjedhjet presidenciale.

“Kërcënimet cilësohen si vepër penale e rrezikimit të sigurisë dhe prokuroria përgjegjëse është e njoftuar për çdo gjë”, ka thënë Policia e Malit të Zi.

Gjatë vitit të kaluar, deputetja Vuksanoviç Stankoviç, mori vazhdimisht kërcënime, prandaj, nga mesi i vitit 2022, është nën mbrojtje 24-orëshe të policisë.

Vuksanoviç Stankoviç tha se kërcënimet që ajo merr, janë të motivuara politikisht dhe se nuk do ta ndalojnë atë nga aktivitetet politike, përfshirë fushatën presidenciale.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i dënoi kërcënimet ndaj Gjukanoviç’it dhe Vuksanoviç Stankoviç’it, duke thënë se ato duhet të merren seriozisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore