Lajme

Gjukanoviç: Iluzioni se kufijtë mund të ndryshohen në Ballkan duhet të merr fund


Milo Gjukanoviç, Presidenti i Malit të Zi

“Serbia po synon të dëshmojë se Mali i Zi është shtet serb, dhe përmes politikës së saj shetëore po e vendos në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi. Prandaj është tejet e rëndësishme që iluzioni për mundësinë e ndërrimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor të merr fund”.

Kështu është shprehur Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç në një intervist dhënë për televizionin sllovak TA3.

Presidenti malazias tha se kjo është dhe ka qenë përpjekje ndër shekujsh e artikuluar nga nacionalistët që projektojnë Serbi të Madhe, që Malin e Zi ta përvetësojnë në një shtet serb me identitet kulturor të tyre.

Ai tha se kur ky nacionalizëm serbomadh është i mbyllur në qarqe akademike është lehtë të ballafaqohet, mirëpo “problemi qëndron në atë se ky nacionalizëm ka këmbët brenda politikës shtetërore serbe”.

“Serbia, përmes politikave të saj shtetërore po vë në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi. Sigurisht se ata s’e pranojnë këtë gjë, por pikërisht këtë gjë e bëjnë.”

“Vetëm kur Serbia të heqë dorë nga aspiratat që ka ndaj Malit të Zi, atëherë besoj se mund të arrijmë përvoja bashkëpunuese si Republika e Çekiës me atë të Sllovakisë”, shtoi Gjukanoviç.

Presidenti i Malit të Zi tha se shpreson që një marrdhënie si ajo Çeki-Sllovaki të mund të ndërtohet mes dy shteteve.

Po ashtu Gjukanoviç cilësoi se BE-ja duhet të jetë më e angazhuar në Ballkan, në mënyrë që të mos i le boshllëk Rusisë.

“Prezenca e Rusisë është sfidë serioze gjeopolitike që i bëhet Bashkimit Evropian. BE-ja s’duhet të krijojë konfuzione të tilla me deklarata si kur rajoni do të futet apo jo në BE. Mesazhi im është që ato të kthehen në Ballkan, të hapin perspektiva të qarta dhe të na ndihmojmë ti tejkalojmë sfidat tona përmes ekspertizave”, përfundoi presidenti malazias Gjukanoviç.

Diplomati amerikan dhe ish-këshilltari i Donald Trumpit, John Bolton në një intervistë për median kosovare në gjuhën shqipe “Kosovo Online”, ka thënë se kur ai ishte këshilltar i sigurisë kombëtare, dhe bisedoi me -ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, mundësia e një korrigjimi të vogël territorial u shqyrtua dhe diskutua.

“Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk dëshiron të diskutoj për korrigjimin e territorit, por unë mendoj,se praktikisht do të thotë se nuk do të ketë përparim në negociata”, tha Bolton.

“Nëse do të mund ta kapërcenim shpërbërjen e Jugosllavisë më 1991 dhe unë e di që historia shkon shumë më larg se 30 vjet, atëherë ajo mund të jetë pjesë e një pakete më të madhe që do të na çonte drejt një zgjidhjeje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore