Lajme

Gjukanoviç do të jetë president nderi i Malit të Zi


Milo Gjukanoviç

Presidenti në largim i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, pas përfundimit të detyrës, do ta shfrytëzojë mundësinë ligjore përmes të cilës do të kërkojë një pozicion simbolik, ku do t’i mundësoheshin takime protokollare, të ardhura, si dhe mbrojtje policore; e gjithë kjo përmes titullit të nderit – ish-president i Malit të Zi, raporton media malazeze Vijesti.

Titullin e nderit të ish-presidentit të Malit të Zi, që i takon me përfundimin e detyrës, mund ta përdorë në pesë vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2028.

Ndërsa, sipas Ligjit malazez për Presidentin, nëse Gjukanoviç dëshiron të fitojë titullin e nderit të ish-presidentit të Malit të Zi, pas përfundimit të detyrës ai ka të drejtën e kompensimit të pagës, zyrës dhe mbështetjes administrative, si dhe përcjellje zyrtare policore.

Kjo e drejtë ligjore i ofrohet të gjithë presidentëve të Malit të Zi, të cilët e kanë marrë detyrën që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006.

Milo Gjukanoviç do ta dorëzojë detyrën e tij pas inaugurimit që do të mbahet më 20 maj të këtij; kjo vjen pasi ai humbi zgjedhjet presidenciale më 2 prill nga kundërkandidati i tij Jakov Milatoviç, duke i dhënë fundit qeverisjes 33 vjeçare të tij.

Me vendim ligjor siç e parasheh legjislacioni malazez, presidenti pas përfundimit të detyrës, është i detyruar të njoftojë organin kompetent punues të Kuvendit të Malit të Zi, gjegjësisht zyrën e Presidentit, nëse nuk dëshiron ta shfrytëzojë këtë të drejtë ligjore me përfundimin e detyrës.

Mirëpo, deri më tani nga kabineti i Gjukanoviç-it nuk kanë dhënë ndonjë koment rreth kësaj çështje.

Por, nëse pranon që ka titull nderi, Gjukanoviç do të jetë i ftuar në të gjitha ceremonitë shtetërore në përputhje me rregullat e protokollit shtetëror malazez.

Çka do të përfitojë Gjukanoviç me këtë titull?

Presidenti i Nderit në Mal të Zi ka të drejtë të përdorë një zyrë të veçantë, ka një këshilltar dhe një oficer për kryerjen e detyrave administrative dhe teknike, si dhe të drejtën e përdorimit të makinës zyrtare me ose pa shofer.

Pas përfundimit të detyrës, presidenti ka të drejtën e sigurimit personal të përhershëm, në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga autoriteti kompetent, përkatësisht Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Drejtoria e Policisë në Mal të Zi.

Ai do të ketë një pagë rreth 1500 euro

Sipas Ligjit për Presidentin në Mal të Zi, me përfundimin e detyrës deri në plotësimin e kushteve të parapara me ligj për fitimin e të drejtës në pension, presidenti ka të drejtë në kompensim në masën 70 për qind të pagës, të cilën e ka marrë në muajin e fundit të ushtrimit të detyrës së Presidentit. Pra, kjo do të thotë se do të marrë rreth 1500 euro, nga 2200 që i merrte sa ishte në pozitën e presidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore