Lajme

Gjuha e Gërvallës “çimentoi pozicionin konfliktual” ndaj BE-së


Donika Gërvalla

Në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit, kritika publike ndaj Bashkimit Evropian nga majat e pushtetit është duke e “çimentuar pozicionin konfliktual” ndaj një “strukture gjigande”, ndërsa në vend që të relaksojë ashpërsinë e gjuhës, lidershipi kosovar “hedhë kripë” në “marrëdhëniet e lënduara” prej kohësh.

Kështu vlerësojnë njohësit e cështjeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri dhe Shkodran Ramadani, teksa komentojnë për Albanian Post deklaratën e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, të bërë në kuadër të Forumit të Dubrovnikut nga ku deklaroi se Bashkimi Evropian është vetëm një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Sociologu kosovar, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Albanian Post, thotë se nga perspektiva pragmatiste, nuk ekziston momentum më i gabuar për prijësit e shtetit që të sillen në këtë mënyrë, veçanërisht në një kohë kur po formësohen marrëdhënie të reja transatlantike dhe në një kohë rirreshtimesh gjeostrategjike pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Lidershipi i Kosovës është duke e çimentuar pozicionin konfliktual ndaj BE-së, në aspektet konceptuale dhe praktike, me anë të konsistencës kundërshtuese në diskurs dhe veprime. Pretendimet për riedukimin korrigjues vleror të një strukture gjigante siç është BE-ja, ngjasojnë me iluzione tragjikomike që shpërbëhen sapo të ballafaqohen me vetëm dy fije mendim racional”, tha Muhaxhiri.

Edhe për politologun Shkodran Ramadani, deklarata e kryediplomates kosovare – dhe të tjera të ngjashme – përveçse një “skandal në vargun e gjatë të skandaleve tjera” nën qeverisjen e Albin Kurtit, ajo dëmton rëndë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, ndërsa shton se në vend që të bëjnë përpjekje për t’i afruar pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, ekzekutivi po largohet nga aleatët e vetëm.

“Kur Kosova ka nevojë për relaksim raportesh me aleatët e saj, nën diktatin e Albin Kurtit – Donika Schwarz hedhë kripë në marrëdhëniet e lënduara me mbështetësit kryesorë të Kosovës. Kësisoj, spiralja në të cilën e ka futur Kosovën qeveria Kurti vetëm sa vjen e bëhet më e rrezikshme. Prandaj, përplasja fatale është e pashmangshme dhe për këtë faj ka veç një adresë: Qeveria e Kosovës”, tha Ramadani.

Shefja e diplomacisë kosovare, përpos që nuk ka shprehur as konsideratën minimale për kritikat dhe shqetësimet e opinionit publik, përveç sfidimit të “specialistëve” që e kritikuan atë se mbi të gjitha, shërbeu vetën me një maksimë që identifikohet me liderin komunist të Kinës, Mao Cedong, ka thënë se me “fanatizëm dhe zë të lartë” po e mbron të vërtetën dhe interesin e Kosovës.

Muhaxhiri thotë se ministrja Gërvalla po e aplikon një plan populist me moton: “Unë ua them në sy të vërtetat historike dinakëve të pabesë evropianë”, nëpërmjet së cilës, sipas tij, synon që në shtratin e saj elektoral të krijojë një ndjenjë artificiale dhe afatshkurtër të entuziazmit për “rikthimin e dinjitetit”, ndërsa Kosova mund të transformohet nga përkrahëse në penguese të projekteve evropiano-amerikane.

“Sanksionet shumënivelore, thellimi i plagëve financiare dhe rreziku i izolimit, për disa muaj do ta bëjnë të kotë këtë fjalor të ashpër që kufizohet me arrogancë. Teorikisht, BE-ja dhe SHBA-të mund ta suspendojnë dialogun dhe të fillojnë me injorim të Kosovës. Pastaj? Ku mbesim? Deri kur? Si rikthemi? Me ç’aleanca? Pa pasur përgjigje të sakta në këto pyetje, çdo aventurë paraqet gjithçka tjetër përveç politikës konstruktive në dobi të qytetarëve”, thekson Muhaxhiri.

Një pikëpamje të ngjashme e jep edhe Ramadani, megjithëse shprehet më ashpër ndaj ministres Gërvalla. Ai thotë se kryediplomatja kosovare është bërë “maskota e qeverisë Kurti”, ndërsa shton se paraqitja e saj në Forumin e Dubrovnikut, ku të pranishëm ishin edhe dy top-diplomatë evropiano- amerikanë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, përbën “sekuencën e fundit të diskursit theqafës”.

“Ajo është fytyra më e shëmtuar e kësaj qeverie të dobët e të dëmshme që produktive është vetëm kur bëhet fjalë për skandale, afera dhe vendime që rrezikojnë sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Ajo paraqitje është veç sekuenca e fundit e një diskursi theqafës qeveritar që sa vjen dhe i dëmton marrëdhëniet e Kosovës jo vetëm me aleatët e saj kryesorë, por të vetëm”, nënvizon Ramadani.

Në mesin e liderëve që njihen për retorikën e tyre konfrontuese e anti-BE, dallohet kryeministri populist e autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, porse, siç shpjegon Muhaxhiri, liderët kosovarë nuk mund të qëndrojnë pas stilit të njëjtë të politikëbërjes, për shkak të kontrastit të madh mes fuqisë politike të një vendi me të drejtë vetoje dhe një vendi që ende nuk është as në paradhomën e shtëpisë së quajtur BE.

“Orban – i njohur edhe si ‘Viktator’ është kryeministër i një shteti me të drejtë vetoje në BE. Aq i rëndësishëm është ai, sa mund t’i bllokojë të gjitha vendimet e politikës së jashtme evropiane, pasi për to duhet pajtueshmëri e plotë e të gjithë 27 anëtarëve. Mirëpo, për shkakun e tij dhe të ngjashmëve me të, tash është themeluar ‘Grupi i Miqve për Votim me Shumicë të Kualifikuar’, me përkrahje të Gjermanisë dhe Francës, që synon t’i parandalojë problematikët e tillë në të ardhmen”.

Ramadani nga ana tjetër kujton se zyrtarët më të lartë institucionalë kanë “njollosur” dhe ia kthyen shpinën edhe Shtepisë së Bardhë në Uashington, gjithnjë duke u thirrur në të ardhmen evropiane të Kosovës, ndërsa tash Kosova e ka gjetur vetën në mesin e shteteve të pakta evropiane që janë nën një varg “masash ndëshkuese” nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mos të harrojmë se janë të njëjtët që pak kohë më parë ia kthyen shpinën SHBA-së në emër të asaj që ‘ne nuk jemi në kufi me Meksikën, por në kontinentin evropian’. Këta janë të njëjtët që kur zgjodhën BE-në, thonin se ‘SHBA-ja është i vetmi vend demokratik në botë për shkak që nuk ka ambasadë amerikane’”, potencon Ramadani.

Kosova aktualisht po përballet me “shkopinjë të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik. Refuzimi me kokëfortësi për t’u çliruar prej tyre në kohën e duhur është për momentin damka dalluese e një diplomacie të paaftë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore