Lajme

Gjoshi shpjegon për Albanian Post funksionimin e ‘qeverisë në hije’


Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës

Ajo çfarë Partia Demokratike e Kosovës e ka prezantuar si ‘qeveria në hije’ pritet të shpaloset së shpejti si model i opozitës për qeverisje, ka thënë për Albanian Post, Betim Gjoshi, sekretar për organizim dhe zgjedhje i PDK-së.

Kjo ide, ndryshe e quajtur Kabineti i Qeverisjes së Mirë, ka për qëllim “ofrimin e alternativave qeverisëse opozitare të PDK-së”.

“Përmes ideve konkrete në dobi të përmirësimit të qeverisjes, gjithnjë në shërbim të interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke u bazuar, analizuar, krahasuar dhe referuar në politikat e Qeverisë dhe pa u kufizuar në to”, tha ai.

Ky model, sipas tij, do të bëhet “duke u bazuar, analizuar, krahasuar dhe referuar në politikat e Qeverisë, [por] pa u kufizuar në to”.

“Kabineti për Qeverisje të Mirë do të jetë në funksion të qytetarëve dhe votuesve të Kosovës si një opozitë ndaj politikave jo të mira qeveritare dhe do të veprojë në emër dhe për llogari të Partisë Demokratike të Kosovës”, tregoi Gjoshi.

“KQM-ja funksionin e saj e zhvillon në mënyrë ekipore, duke zhvilluar kurdo dhe për aq sa është e nevojshme tryeza dhe debate tematike, vizita në terren dhe veprime të tjera opozitare. Ndërsa aktivitetet e saj do t’i pasqyrojë para publikut nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik (Konferenca, Intervista, Debate, Prezantime, Publikime, etj.), me qëllim të transmetimit sa më të lehtë e më të mirë të alternativës qeverisëse të PDK-së tek qytetarët e vendit”.

Përveç asaj çfarë u tha më lartë, Gjoshi tregon se ky formacion alternativ politik opozitbërjen do ta ushtrojë edhe përmes propozimit të nismave legjislative.

Por, megjithatë, thotë Gjoshi, “nuk kufizohen në zbërthimin e pikave programore të PDK-së nga njëra anë, por edhe ofrimin e nismave alternative ndaj akteve të Qeverisë nga ana tjetër. Këtë funksion KQM-ja e bën në koordinim dhe pajtim me Grupin Parlamentar të PDK-së”.

“Kabinetin për Qeverisje të Mirë e përbëjnë: Kryetari i PDK-së (në tekstin në vijim, referuar si: udhëheqësi), zëvendësudhëheqësit, koordinatorët e departamenteve, anëtarët e departamenteve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore