Sport

Gjithçka rreth ceremonisë hapëse të LOD “Pekin 2022”


Lojërat Olimpike Dimërore 2022 fillojnë këtë javë në Pekin, me ceremoninë hapëse të caktuar për të premten.

Ceremonia hapëse është planifikuar të fillojë në orën 20:00 në Kinë në stadiumin kombëtar të Pekinit, ndërsa me orën tonë lokale, ceremonia fillon në ora 13:00.

Stadiumi në të cilën do fillojnë Lojërat Olimpike Dimërore, është i njëjti që priti ceremoninë e hapëse së Lojërave Verore 2008, e cila është hera e fundit që Kina priti Lojërat Olimpike.

Edhe pse stadiumi kombëtar i Kinës u ndërtua posaçërisht për të mbajtur evente të Lojërave Olimpike, asnjë garë nuk do të zhvillohet atje këtë vit.

Stadiumi do të jetë gjithashtu vendi për ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike më 20 shkurt.

Ceremonitë e hapëse janë zakonisht spektakolare dhe i japin mundësi vendeve të vogla për të treguar vlerat e tyre kombëtare, në audiencën globale.

Në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, do marrin pjesë dy sportistë nga Kosova dhe një nga Shqipëria.

Të dy skitarët e Kosovës, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu janë pjesë e disiplinës së skijimit alpin, dhe nga këta dy, flamurin e Kosovës do e mbajë Tahiri.

Skitari nga Shqipëria, Denni Xhepa po ashtu do të marrë pjesë në disiplinën e skijimit alpin.

Tahiri, 32-vjeçar, ka fituar katër norma olimpike në disiplinat e sllallomit, sllallomit të madh, kombinimit alpin dhe lëshimit.

Derisa, Kryeziu 17 vjeçare është kualifikuar në disiplinën e sllallomit të madh e cila bëhet sportistja e parë femër që do ta përfaqësojë Kosovën ne një Olimpiadë Dimërore.

Denni Xhepa, 18 vjeçar pritet të ketë performanca të mira, pasi ai është stërvitur në alpet shqiptare për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

Kujtojmë se “Pekin 2022” do zgjasë 16 ditë, nga data 4 shkurt, deri më 20 shkurt.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore