Shqipëria

Gjiknuri për Reformën Zgjedhore: Të gatshëm të ulemi në bisedime me PD-në


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste (PS), njëherësh dhe drejtuesi politik në Elbasan, Damian Gjiknuri, të enjten e 11 nëntorit, ka deklaruar se janë të gatshëm të ulen me një përfaqësi të opozitës për Reformën Zgjedhore.

‘Komisioni për Reformën Zgjedhore ka një standard”, shprehet Gjiknuri, ndërsa shtoi se “jemi të gatshëm të ulemi në komision për të adresuar çështjet e mbetura”.

Nga Elbasani, Gjiknuri u prononcua dhe ndaj çështjes “Berisha-Basha”, për të cilët tha se “socialistët nuk përzihen me punët e brendshme të Partisë Demokratike (PD)”.

“PD luftën e ka mes vete”, vijoi ai, “se kë do të kenë lider ata, e vendosin vetë demokratët”.

Po ashtu u prononcua dhe ndaj zgjedhjes së presidentit të ri.

Në përmbyllje ai tha se “jemi të hapur për propozime nga opozita”, pasi synimi është të zgjidhet një president konsensual”.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të hënën e 8 nëntorit ka shtyrë ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Kjo me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të opozitës, Alfred Rushaj.

Ai kërkoi diskutime me Partinë Socialiste mbi objektin e Komisionit.

Rushaj u shpreh se mes mazhorancës dhe opozitës nuk është gjetur një dakordësi, duke kërkuar edhe një javë kohë.

Nga ana tjetër, ky Komision duket se tashmë është plotësisht i dakordësuar dhe gjithçka mbetet është formalizimi i tij në një seancë tjetër plenare.

Në një baraspeshë tërësore midis pozitës dhe opozitës, komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri në radhët e të majtës dhe Enkelejd Alibeaj nga demokratët.

Partia Socialiste, do të ketë shtatë anëtarë të tjerë.

Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Kledis Xhoxhi, janë të majtët të cilët do të punojnë në grupin e ngritur për reformën zgjedhore.

Opozita nga ana tjetër, do të ketë po shtatë anëtarë, por jo të gjithë vijnë nga radhët e Partisë Demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore