Shqipëria

Kuvendi shtyn ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore


Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të hënën e 8 nëntorit ka shtyrë ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Kjo me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të opozitës, Alfred Rushaj.

Ai kërkoi diskutime me Partinë Socialiste mbi objektin e Komisionit.

Rushaj u shpreh se mes mazhorancës dhe opozitës nuk është gjetur një dakordësi, duke kërkuar edhe një javë kohë.

Nga ana tjetër, ky Komision duket se tashmë është plotësisht i dakordësuar dhe gjithçka mbetet është formalizimi i tij në një seancë tjetër plenare.

Në një baraspeshë tërësore midis pozitës dhe opozitës, komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri në radhët e të majtës dhe Enkelejd Alibeaj nga demokratët.

Partia Socialiste, do të ketë shtatë anëtarë të tjerë.

Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Kledis Xhoxhi, janë të majtët të cilët do të punojnë në grupin e ngritur për reformën zgjedhore.

Opozita nga ana tjetër, do të ketë po shtatë anëtarë, por jo të gjithë vijnë nga radhët e Partisë Demokratike.

Gazment Bardhi, Lindita Metalia, Alfred Rushaj dhe Oerd Bylykbashi, janë nga radhët e PD-së. Fatmir Mediu do të jetë nga radhët e Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim. Shpëtim Idrizi nga Demokraci dhe Integrim dhe Petrit Vasili jashtë grupeve parlamentare.

Anëtarë zëvendësues, do të jenë pesë.

Xhemal Qefalia dhe Jurgis Çyrbja, do të jenë nga radhët e PS-së. Dashnor Sula dhe Gerta Bardeli nga demokratët dhe Kledis Celiku jashtë grupeve parlamentare.

Po ashtu, bashkë, ngrihet edhe një grup me ekspertë teknikë, në bazë të nevojave të komisionit.

Çdo parti ka të drejtë të përfaqësohet dhe të propozojë amendamente për diskutim.

Për çështje të cilat nuk ka dakordësim mes palëve, pritet që vendimtarë të jenë ekspertët e OSBE-ODIHR si edhe Komisionit të Venezia-s, me asistencën e tyre.

Afati i veprimtarisë së punës pritet të jetë gjashtë muaj dhe mund të zgjatet në rast të një kërkese të arsyetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore