Lajme

Gjermania kërkon që për Kosovën të largohen provimet shtesë të patentë shoferëve


Ilustrim: Patentë shoferë

Konvertimi i patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani, së shpejti priten ndryshime që i heqin provimet shtesë, kështu ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Në njoftimin e bërë thuhet se është bërë kërkesa në Këshillin Federal që të miratohen ndryshime në rregulloren për provime shtesë gjatë konvertimit të patentë shoferëve.

“Me qëllim të informimit korrekt dhe në kohë, dëshirojmë t`ju vëjmë në dijeni se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Republikës Federal të Gjermanisë i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) me datë 29 dhjetor 2021 të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e patentë shoferëve”.

Ilustrim.

“Ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Moldavisë”, thuhet në komunikatë.

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet në njërën nga seancat e radhës në Bundesrat.

Në komunikatë thuhet se për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patentë shoferëve pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

“Kjo projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet në seancat e radhës në Bundesrat dhe sapo të konkretizohet data e shqyrtimit do t`ju informojmë në kohë përmes kanaleve tona të komunikimit”, thuhet në fund.

Ndryshe, më 29 dhjetor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka lansur E-testimin për patentë shofer, përmes të cilit synohet eliminimi i aferave korruptive.

“Nuk ka më asnjë mundësi që përmes aferave korruptive të pajiset me patentë-shofer, pra eliminohet komplet faktori njëri”, ka thënë zëvendësministri i mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore