Lajme

“Gjermania dëshiron marrëdhënie shumë të mira me Turqinë”


“Nuk e besoja që Turqia do të bëhej anëtare e BE-së dhe ende nuk e shoh që të bashkohet me BE-në. Por, pavarësisht kësaj, unë dua të kemi marrëdhënie shumë të mira me Turqinë”.

Kështu është shprehur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë shtypi, duke thënë se “pikëpamja ime politike për këtë është e njohur mirë”.

Pavarësisht se përsëriti kundërshtinë e saj ndaj anëtarësimit të plotë të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), shprehu mbështetje për lidhje më të ngushta me Ankaranë, duke azhurnuar Bashkimin Doganor BE-Turqi dhe një marrëveshje kryesore për refugjatët.

Ajo tha se ka bërë përpjekje të forta në muajt e fundit, për të përmirësuar lidhjet midis BE-së dhe Turqisë.

“BE dëshiron të modernizojë Bashkimin Doganor 25-vjeçar me Turqinë dhe të rinovojë marrëveshjen e refugjatëve 2016, që synon ndalimin e migrimit të parregullt dhe sigurimin e mbështetjes për refugjatët Sirianë”.

Turqia, sipas saj, po bën një punë të shkëlqyeshme për t’u kujdesur për refugjatët sirianë.

“Ne i dhamë mbështetje Turqisë, por natyrisht, kjo ishte një shumë e vogël”, tha ajo, duke iu referuar premtimeve financiare të BE-së si pjesë e marrëveshjes së refugjatëve 2016.

BE-Turqi-refugjatët

Stepja e BE-së për të marrë refugjatë nga Turqia dhe pengesat burokratike në transferimin e fondeve të premtuara për refugjatët, kanë çuar në kritika nga politikanët turq.

Ankaraja kritikoi BE për dështimin për të përmbushur zotimin e saj për të siguruar fonde për migrantët dhe refugjatët në Turqi, si pjesë e paktit ndërsa alokoi miliarda euro për Greqinë.

Pesë vjet më vonë, pakti po dështon. Ndërsa Turqia lufton me numrin në rritje të migrantëve, BE është më e ndarë se kurrë për politikën e saj të azilit.

Turqia pret 6 milionë migrantë, me gati 4 milionë nga Siria. Kjo, sipas autoritetit të saj të migracionit. Kjo është 2 milionë më shumë se në vitin 2016 dhe një barrë e rëndë për një vend që kishte vetëm 60 mijë azilkërkues në 2011 para se të fillonte lufta civile në Siri.

Bashkimi doganor, si një vend jo-anëtar i BE-së

Turqia është i vetmi vend jo-anëtar i BE-së, me një marrëveshje të bashkimit doganor me bllokun. Marrëveshja u arrit në 1995. Në vlerësimin e saj më 21 dhjetor 2016, Komisioni Evropian propozoi riformimin e marrëveshjes.

Bashkimi aktual doganor mbulon vetëm një gamë të kufizuar të produkteve industriale dhe përjashton bujqësinë, prokurimin publik, tregtinë elektronike dhe shërbimet.

Zgjerimi i bashkimit doganor do ta sillte Turqinë, një kandidat për anëtarësim në BE, plotësisht në tregun e brendshëm të bllokut më të madh tregtar në botë, duke lejuar që pothuajse të gjitha mallrat dhe shërbimet të lëvizin pa pengesa.

Kohët e fundit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE duhet të azhurnojë marrëveshjen e migrimit të nënshkruar me Turqinë në 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore