Lajme

Gjenden dy trupa nga gërmimet në Kizhevak të Serbisë


“Dy trupa kanë dalë në sipërfaqe nga gërmimet e bëra në Kizhevak të Serbisë. Rastet janë të Rezallës së Drenicës”, ka thënë për Albanian Post, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

Sipas tij, lidhur me mbetjet mortore, menjëherë pas tërheqje do të kryhet edhe ekspertiza mjeko ligjore në një tendë e cila është sallë e improvizuar për ekzaminim mjeko ligjor.

“Do të merren mostrat për ADN dhe do të dërgohen për analizë në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, shtoi ai.

Ai ka treguar se kanë mbetur rreth dy javë punë.

“Minimumi janë edhe dy javë punë. Të shtunën ka përfunduar punën ekipi i parë ndërsa të hënën pritet të vazhdohet me ekipin e dytë”, ka sqaruar Gërxhaliu.

Gërmimet për gjetjen e trupave të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Kizhevak të Serbisë kanë rifilluar më pesë maj, me dekonzervimin e terenit.

Këto gërmime po vazhdojnë të zhvillohen pas përfundimit të atyre në “Varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës”, vend ky ku nuk është gjetur asnjë mbetje mortore.

Në Kosovë që nga paslufta janë gjurmuar qindra lokacione në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999 rezultuan rreth gjashtë mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore