Lajme

Gjenden 5 të vdekur brenda një banese në Wisconsin, dyshohet për vrasje


Pesë persona u gjetën të vdekur brenda një shtëpie në Wisconsin (SHBA) pasditen e 23 janarit.

Autoritetet kanë kontrolluar banesën në Milwaukee, ku u gjetën trupat e katër burrave dhe të një gruaje, rreth orës 3:45 pasdite.

“Të pesta vdekjet po trajtohen si vrasje”, tha ndihmës-shefi i policisë së Milwaukee-s, Paul Formolo, në një konferencë shtypi gjatë mbrëmjes.

“Motivi i vrasjes dhe detajet në lidhje me të dyshuarit e përfshirë në këtë çështje ende nuk bëhen të ditur”, shtoi Formolo, ndërsa njoftoi se identifikimi i viktimave dhe autopsitë do të kryhen të hënën e 24 janarit.

Autoritetet nuk dyshojnë për ndonjë kërcënim ndaj komunitetit, sipas ndihmës-shefit.

Kur u pyet për arsyen e kontrollit në banesë, Formolo tha se “qytetarët e komunitetit kanë pasur shqetësime me banorët që jetonin në këtë zonë.

Sipas tij, kjo është parë si “një thirrje alarmante për t’ju përgjigjur”.

Kryetari i Bashkisë së Milwaukee, Cavalier Johnson, shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

“Vrasjet e zbuluara në atë zonë banimi, mu në zemër të qytetit tonë, janë të tmerrshme”, tha Johnson.

Milwaukee, një nga 40 qytetet më të populluara të vendit, ka regjistruar më shumë vrasje në 2021 nga çdo vit tjetër, sipas një raporti të publikuar nga CNN me të dhënat e departamentit të policisë.

Ky ishte viti i dytë me radhë që qyteti vendosi rekord vrasjesh, sipas zëdhënësit të Departamentit të Policisë së Milwaukee, Sgt. Efrain Cornejo.

Të paktën 192 vrasje kanë ndodhur në vitin 2021, sipas Cornejo-s.

Kurse në vitin 2020, në qytet u regjistruan 190 vrasje.

“Ne mbetemi të vendosur për të reduktuar dhunën”, tha Johnson dhe “do ta arrijmë këtë përmes zbatimit të ligjit, përmes ndërhyrjes së komunitetit dhe përmes një angazhimi të ripërtërirë për parandalimin”.

Policia po kërkon informacion nga kushdo që ka dijeni rreth rastit konkret.

Marrë nga CNN, përshtatur për Albanian Post. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore