Kosova

Gërvalla përkujton Sali Çekajn: Natyrë e butë ashtu si Ibrahim Rugova – gjithmonë gati të flijohej për lirinë e shqiptarëve


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe luftëtari i UÇK-së, Sali Çekaj.,

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka përkujtuar në 25 vjetorin e rënies së tij, luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëherësh Heroin e Kombit, Sali Çekajn.

Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se si çdo herë edhe 19 prill i 99’së gjeti Çekajn duke luftuar kundër Serbisë.

“Duke qenë prijës i grupeve të para që më 1990/91 po stërviteshin në Shqipëri dhe duke qenë se bashkë me Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin kishte vjet që ua kishte kthyer pushkën serbëve, edhe më 19 prill 1999 në Koshare, Sali Çekaj ishte duke luftuar për  Kosovën”.

Gërvalla e ka krahasuar atë me Ibrahim Rugovën, duke i cekur karakteristikat e ngjashme që kishin.

“Ai ishte një natyrë e butë dhe paqësore, mu si Ibrahim Rugova, dishepull i së cilit ishte gjatë gjithë jetës së tij”.

“Por, saktësisht sipas mësimeve të liderit të tij dhe duke përqafuar maksimën e urtë se kush dëshiron paqe, duhet të bëhet gati edhe për luftë, njëri ndër strategët e Betejës së Logjës, ishte gati të mbronte pragun e shtëpisë, ishte gati  të luftonte për Kosovën dhe ishte gjithmonë gati të flijohej për lirinë e pavarësinë e shqiptarëve!”.

Ndërsa, theksoi se ajo se çka la prapa tij është “madhështore” dhe do të kujtohet sa të jetojë Kosova.

“Ai ishte njeri i shkolluar e i ngritur, veprimtar e kryengritës për liri e pavarësi, oficer ushtarak dhe juristi i parë që filloi të implementojë Kushtetutën e Kaçanikut”.

“U kujtoftë sa të jetë jeta, luftëtari i rreptë, njeriu i butë dhe intelektuali i urtë e poliedrik, Heroi i Kosovës, Sali Çekaj!”.

Më 16 gusht të vitit 2022, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte dorëzuar urdhrin “Hero i Kosovës” familjes së Sali Çekajt, të cilin ia kishte ndarë po ashtu presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

Çekaj, është i njohur për publikun si njëri nga komandantët më të shquar të UÇK-së dhe aktivist i madh i kombit shqiptar.

Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e po ashtu qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore