Lajme

Gërvalla informon “në detaje” deputetët austriakë për sulmin në Banjë


Foto: MPJ

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Austri, është takuar me deputetë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, të cilët i ka njoftuar në detaje për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjë të Zveçanit.

Lajmi është bërë i ditur nga MPJ-ja, përmes një komunikate për media, të cilët kanë thënë se takimi në fjalë ka qenë në funksion të informimit të shteteve aleate rreth zhvillimeve në Kosovë.

“Informimi i drejtë i shteteve tona mike rreth zhvillimeve në Kosovë, përparimit të arritur në shumë fusha, veprimeve destabilizuese të Serbisë, aktit të agresionit ndaj Kosovës, sulmeve ndaj KFOR-it, dhunës sistematike, kërcënimeve dhe shantazheve të vazhdueshme ndaj qytetarëve në veri të Kosovës nga ana e strukturave ilegale, është domosodoshmëri si përgjigje ndaj propagandës agresive serbe kundër Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst, Gërvalla është takuar me deputeten e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Austrisë, Carmen Jeitler-Cincelli, kryetarin e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, Andreas Minnich dhe deputetë të tjerë të Parlamentit Austriak, “të cilët i njoftoi ndër të tjera në detaje edhe për sulmin në Banjë dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit”.

Foto: MPJ

“Republika e Kosovës, mbetet e përkushtuar në demokratizim të vendit, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, mbrojtje të të drejtave të njeriut e lirisë së mediave, fusha këto në të cilat shteti ynë ka arritur rezultate të mëdha, të konfirmuara edhe nga raporte të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë kryediplomatja kosovare para deputetëve austriakë.

Gërvalla ka falendëruar deputetët austriakë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e fuqishme bilaterale.

Ndërsa, gjatë qëndrimit në Austri, një ditë më parë, Gërvalla, është takuar edhe me homologun e saj austriak, Alexander Schallenberg, të cilin e ka informuar rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë në Kosovë.

Lajmi e ka bërë të ditur MPJ-ja përmes një komunikate për media.

“Në frymë tejet miqësore, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, Gërvalla, është pritur në takim nga Ministri për Evropë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se Gërvalla e ka njoftuar Schallenberg-un rreth proceseve të brendshme politike në vend, duke prezantuar “progresin e arritur në demokratizim, sundim të ligjit, rritje ekonomike, respektim të të drejtave të njeriut, liri të mediave dhe infrastrukturë moderne për investime ndërkombëtare”.

Temë tjetër me rëndësi e diskutuar mes dy ministrave ishte edhe informimi në detaje rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it dhe veprimeve tjera që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ministra Gërvalla dhe Ministri Schallenberg biseduan edhe për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, ndërkohë që Ministrja Gërvalla e falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, potencohet aty.

Gërvalla informon kryediplomatin austriak për veprimet destabilizuese të Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore