Kosova

Gërvalla: Hapja e Urës së Ibrit të trajtohet me seriozitet, s’duhet ta rrezikojmë territorin tonë


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, teksa ka refuzuar të tregojë se kur Qeveria do të marr veprime për hapjen e Urës së Ibrit, ka kërkuar që ky vendim të mos e rrezikoj territorin e Kosovës.

“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitiv, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë. Në momentin që do të ketë lëvizje ju do të jeni dëshmitarë të lëvizjeve dhe do t’i shihni”.

Ndonëse kjo mundësi është rikthyer nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, sipas Gërvallës kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet.

“Tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit”, ka deklaruar ajo për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Për më shumë se dy dekada Ura e Ibrit gjithmonë është parë si simbol i ndarjes etnike në Mitrovicë.

Ndonëse përpjekjet për hapjen e urës datojnë qysh herët, gjithmonë të njëjtat kanë hasur në sfida të ndryshme ndër vite.

Një mundësi e re për ta hapur Urën e Ibrit është rikthyer nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, por prapë me kundërshtime nga ndërkombëtaret, pasi kjo “mund të dërgojë në tensione të reja”.

Prandaj, të gjitha veprimet po kërkohen të merren në kuadër të dialogut, në të kundërtën çdo hap tjetër do të konsiderohet si “veprim i njëanshëm” i Kosovës, është thënë nga ndërkombëtarët.

Pikërisht këto kundërshtime dhe mundësia për tensione të reja kanë bërë që hapja e plotë (për mjete motorike) të mos realizohej ndër vite, megjithatë shansi i ri për ta hapur Urën e Ibrit për qarkullimin e automjeteve po vlerësohet si pozitiv nga këndvështrimi i analisteve politikë.

Hapja e Urës së Ibrit, shans i ri për lidhje dhe/apo rritje tensionesh?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore